Giresse tregon pse nuk ftoi lojtarët kyç ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe

Prishtinë | 15 Nën 2022 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse ka folur në prag të dy ndeshjeve miqësore ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe në Prishtinë.

Tekniku francez është pyetur në konferencë se cila ka qenë arsyeja që ai nuk ka ftuar disa nga lojtarët kryesorë të Kosovës.

“Këto dy lojë jam i interesuar për lojtarët e rinj. Për ta është mundësi të tregojnë veten dhe pse jo që të ardhmen të jenë bazë të ekipit të Kosovës. Eksperienca nuk është e rëndësishme në këto lojë sa është e rëndësishme zbulimi i talentit dhe lojtarëve të rinj”, deklaroi Giresse në konferencë për media.

Kosova përballet me Armeninë të mërkurën nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kosova e gatshme për miqësoren me Armeninë; Giresse: Mundësi e mirë për lojtarët e rinj t’i tregojnë vlerat

“Dardanët” tri ditë më vonë ndeshen edhe me Ishujt Faroe në ndeshjen tjetër kontrolluese dhe të fundit për muajin nëntor.

Kombëtarja e Kosovës e përbërë kryesisht me futbollistë të rinj e ka zhvilluar seancën stërvitore në prag të ndeshjes së nesërme miqësore kundër Armenisë, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 18:00.

Paraparakisht në konferencë për media janë paraqitur përzgjedhësi Alain Giresse dhe futbollisti Lindon Emërllahu.

Tekniku francez ka në dispozicion 22 lojtarë për dy miqësoret e kësaj jave, pasi krahas Armenisë, Dardanët do të luajnë, të shtunën, edhe kundër Ishujve Faroe.

Giresse ka thënë se këto dy miqësore do t’i shërbejnë atij për të parë potencialin e futbollistëve të rinj.

“Është me rëndësi për lojtarët që në këto dy ndeshje t’i tregojnë vlerat në fushë. Kemi kryesisht futbollistë të rinj për këto dy miqësore, por kemi edhe disa me përvojë. Kjo është një mundësi e mirë për të rinjtë që të mësojnë dhe të fitojnë përvojë”, ka theksuar Giresse.

Ai ka thënë se rezultati në këto dy ndeshje është në plan të dytë, porse do të mundohen të bëjnë lojë sa më të mirë. “Në këto dy miqësore është me rëndësi t’i shohim lojtarët e rinj. Ata duhet t’i tregojnë vlerat e tyre për të qenë edhe në të ardhmen pjesë e Kosovës”, ka shtuar Giresse.

Ndërkaq mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, është shprehur i lumtur që është sërish pjesë e Kombëtares dhe i gatshëm për ta treguar potencialin e tij.

“Jemi gjithë lojtarë të rinj. Duam të paraqitemi sa më mirë, t’i tregojmë vlerat tona dhe të ftohemi edhe në ndeshjet e tjera. Shpresoj të kem mundësinë t’i tregoj vlerat e mia. Besoj që paraqitjet me Ballkanin do të më ndihmojnë të luajë sa më mirë edhe te Kosova”, ka thënë Emërllahu.

Të ngjashme