GIZ do ta mbështesë edhe 4 vjet Kosovën në procesin e integrimit evropian

Prishtinë | 14 Sht 2017 | 18:25 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Integrimit Evropian (MIE) lansoi sot zyrtarisht fazën e tretë të projektit “Përkrahje për Procesin e Integrimit Evropian në Kosovë”, financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Projekti që implementohet nga organizata gjermane GIZ, e mbështet MIE-n në punën e saj për të planifikuar, koordinuar dhe monitoruar në mënyrë efektive procesin e integrimit evropian që nga vera e vitit 2011.Projekti ka ofruar asistencë për Kuvendin e Republikës së Kosovës në forcimin e kapaciteteve të tij mbikëqyrëse të procesit të Integrimit Evropian. Faza e re e projektit ka një volum total prej 2.8 milionë eurosh dhe do të vazhdojë deri në qershor 2020.

Në fjalën e saj, ministrja Dhurata Hoxha, tha se projekti i GIZ-it do të mbështesë më tej MIE-n drejt zbatimit me prioritet të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe në përgatitjen e administratës për aplikimin e ardhshëm për anëtarësim në BE. MIE luan një rol qendror në këtë proces kompleks dhe që kërkon shumë punë. “Duke qenë autoritet koordinues, duhet të sigurojë pjesëmarrjen e plotë të të gjitha institucioneve të Kosovës gjatë përgatitjeve për aplikim për anëtarësim në BE. Në këtë mënyrë, mbështetja e projektit GIZ është e lidhur drejtpërdrejt me forcimin e mëtejshëm të kapacitetit administrativ të Kosovës”.

Ministrja e re e Integrimit Evropian tha se Kosova është e nderuar që ka Gjermaninë përkrahëse në rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Ne shohim një bashkëpunim të vazhdueshëm me Gjermaninë. Projekti në fillim është lansuar më 2012, vit kritik ky kur të gjitha kanë qenë duke punuar fort. Bashkëpunimi me këtë projekt ka qenë shumë i rëndësishëm në rrugën e integrimeve evropiane”, tha Hoxhaj, e cila e mori këtë detyrë para tri ditësh.

“Ky projekt ka ofruar mbështetje në të gjitha institucionet tona si ata qendror, por edhe në ata lokal. Pjesë e rëndësishme ka qenë ndërtimi i kapaciteteve duke i dhënë ndihmë Kuvendit në procesin e ligjeve për integrimeve evropiane”, thekoi ajo.

Ambasadori në detyrë i Gjermanisë, Jan-Axel Voss, vuri në pah se Qeveria e Gjermanisë ka mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për integrim në BE që nga fillimi; si politikisht ashtu edhe financiarisht. Ai theksoi se reformat evropiane janë jetike jo si qëllim në vetvete, por si një mjet për të krijuar një ekonomi demokratike tregu që i shërben nevojave të popullit.

Axel-Voss tha se vendi i Kosovës është në Evropë dhe foli për “përmirësim” të shtetit të ri në rrugën drejt anëtarësimit në BE. “Aplikimi i Kosovës për ne BE nuk ka të bëjë vetëm me dokumente, por edhe me ligje dhe rregullat që ka BE-ja dhe këto të zbatohen në praktikë”, ka thënë Axel-Voss.

“Çka presim nga Qeveria e re e Kosovës është që të sjellë reforma dhe t’i zbatojë hapat që e sjellin Kosovën më afër Bashkimit Evropian”.

“Qeveria e Kosovës duhet të përqafojë integrimin e BE”, tha zyrtari gjerman, ndërsa porositi Parlamentin që ta shqyrtojë me kujdes punën dhe ligjet që sjell Ekzekutivi.

Axel-Voss theksoi se Gjermania e përkrah çdo qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratikë dhe u zotua për përkrahjen e shtetit të tij.

Ismet Krasniqi, sekret i Përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se kjo marrëveshje është vazhdim i punës së Kuvendit me organizatën gjermane GIZ. Faza III parasheh përkrahje për vitet 2017 – 2020.

Edhe Krasniqi falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e vazhdueshme për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Kosovës.


Të ngjashme