Gjahu i ATK-së në sezonin e dasmave

Prishtinë | 05 Gus 2019 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Në sezonin e dasmave dhe ahengjeve të tjera, Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë filluar aksione kundër shmangies së tatimeve nga bizneset. Nën llupën e ATK-së janë pronarët e restoranteve, sallave, këngëtarët dhe muzikantët e angazhuar për argëtim, kameramanët apo bizneset e xhirimit dhe fotografisë.

Një aksion i gjerë i Administratës Tatimore të Kosovës ka në shënjestër edhe diskotekat në kryeqytet. Cak i këtyre aksioneve të ATK-së gjatë ditës së premte ishin sallat e dasmave në Prizren dhe diskotekat e Prishtinës. Inspektorët e ATK-së, gjatë kontrollit në këto lokacione, kanë hasur në parregullsi të shumta, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjatë këtij aksioni inspektorët kanë konstatuar se një nga sallat e dasmave nuk ishte e pajisur fare me arkë fiskale e po ashtu u konstatua edhe se këto kompani deklaronin shuma më të vogla sesa realizonin të hyra në realitet. Inspektorët gjatë kontrollit kërkuan edhe kontratat e këngëtarëve me dasmorët, mirëpo ato nuk iu prezantuan me arsyetimin se ishin familjarë të dasmorëve.

Parregullsi të mëdha inspektorët e ATK-së kanë gjetur edhe në diskotekat (lokalet e natës në Prishtinë). Gjatë hyrjes në njërën prej diskotekave, inspektorët kanë parë që edhe me gjithë faktin se klientët paguanin hyrjen, nuk pajiseshin me kuponë fiskalë. Madje në një nga diskotekat e Prishtinës edhe pse prezentë ishin rreth 1 mijë persona, ishin lëshuar vetëm dy kuponë fiskalë. Gjendje e njëjtë u konstatua edhe në diskotekat e tjera. Në disa prej tyre u konstatua se edhe pse tavolinat e mysafirëve ishin të mbushura me pije, nuk ishin të pajisura me kuponë fiskalë. Sipas inspektorëve, 75 tavolina kanë rezultuar të papajisura me kuponë fiskalë vetëm në njërën nga këto diskoteka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme