Dalja në gjueti e dy baxhanakëve nga Podujeva përfundoi në mënyrë tragjike. Në bjeshkën e fshatit Pakashticë të Podujevës u privua nga jeta me armë zjarri 30-vjeçari Mentor Kajtazi. Vrasja e viktimës dyshohet se ndodhi nga pakujdesia nga baxhanaku i tij, Florim Bunjaku 34-vjeç. Vëllai i viktimës tha shkurt se vrasja ka ndodhur në mënyrë aksidentale.
Familja e 30-vjeçarit të vrarë kishte hapur të pamën sot në fshatin Dumnicë të Podujevës, ceremonia e varrimit ishte caktuar për në orën 15:00, por familjarët nuk pranuan të flasin gjatë për rastin.
Njëri vëlla i viktimës tha se vrasja ka ndodhur në mënyrë aksidentale dhe se i dyshuari me të ndjerin kanë qenë baxhanakë mes vete.
“Po janë baxhanakë mes vete, ata nuk kanë dalë shpesh për gjueti”, tha ai për express.
I njëjti shtoi se viktima ka lënë pas vetes gruan dhe fëmijët.
Ndërkohë situatë më ndryshe ishte te shtëpia e të dyshuarit në Pakashticë të Podujevës. Një patrullë e policisë po e ruante shtëpinë e tij për çështje sigurie.
Fqinjët thanë se nuk ishin në dijeni se si ka ndodhur rasti, pasi mali ku baxhanakët kishin dalë për gjueti ishte disa kilometra larg nga shtëpia e tij.
Prapa kësaj veture (shih fotografinë), me të cilën dyshohet se morën rrugë baxhanakët ndodhet mali ku një natë më parë u vra 30-vjeçari.
Si pasojë e terrenit të papërshtatshëm për shkak të kushteve atmosferike, forcat e FSK-së kishin asistuar policinë për tërheqjen e trupit të pajetë.
E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur nga pakujdesia, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se ndaj të dyshuarit kanë kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në drejtim të veprave penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja ne pronesi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armeve”.
“Prokurorja e rastit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të ndaluar, për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armevë”, në gjykatën kompetente”, tha për Express zëdhënsja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.