Ligji i cili rregullon asistencën sociale në Kosovë është cilësuar si diskriminues për fëmijët, ku pas moshës pesëvjeçare nuk kanë të drejtë të gëzojnë më këtë ndihmë, që edhe ashtu është e ulët për mirëqenien e fëmijëve dhe familjes.
Zëvendësi i Avokatit të Popullit, Mehdi Geci, tha për Radio Kosovën se në rastet e familjeve me asistencë sociale po bëhet shkelja e të drejtave të fëmijëve, dhe për ketë arsye Avokati i Popullit ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës një raport me rekomandime për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemën e ndihmës sociale, ku kërkohet që të ngritët mosha nga pesë në tetëmbëdhjetëvjeçare.
“Për arsye se nuk po respektohen standardet e të drejtave të njeriut, në këtë rast edhe të Konventës Evropiane për të drejtat e fëmijëve, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës plotësim ndryshimin e ligjit për skemat e ndihmës sociale në Kosovë. Rekomandimi është ndryshimi te fëmijët e moshës pesëvjeçare të ngritët në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, për arsye se sipas ligjeve në fuqi dhe Konventës Evropiane, fëmijë konsiderohen të gjithë deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare”, ka thënë Geci.
Ai theksoi se në lidhje me ketë çështje, deri me tani është marrë përgjigje vetëm nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, se kjo çështje i është adresuar Ministrit për Punë dhe Mirëqenie Sociale, i cili ka premtuar se gjatë vitit 2019 do të bëhet plotësimi ndryshimi i skemës sociale, ku do të përfshihet edhe rekomandimi i avokatit të popullit.
“I kemi rekomanduar Kuvendit të Kosovës, mirëpo nga kuvendi kemi marrë përgjigje vetëm nga Komisioni për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale se kjo çështje i është adresuar ministrit për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Ku sipas të cilit, në vitin 2019 do të bëhet plotësim ndryshimi i reformës se skemës sociale ku do të përfshihet edhe rekomandimi i Avokatit të Popullit”, ka shtuar Geci.
Ndërsa rreth këtij procesi në një përgjigjeje përmes postës elektronike për Radio Kosovën, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka thënë se në fillim të vitit 2019 është finalizuar raporti “Studimi mbi Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë”, i përgatitur nga Banka Botërore. Në këtë studim është bërë vlerësimi i Skemës së Ndihmës Sociale dhe opsionet për reformë, ndër të cilët është edhe eliminimi i kriterit që familja duhet të ketë së paku një fëmijë nën moshën pesë (5) vjeç.
Po ashtu, në janar 2019 Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka themeluar grupin punues për hartimin e Koncept Dokumentit për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë, përmes të cilit është planifikuar të bëhet reformimi i Skemës së Ndihmës Sociale, ku ministria përmes tij synon që të rritë mbulushmërinë e të varfërve me programin e Skemës së Ndihmës Sociale, të eliminojë kriteret e kategorive, të përmirësojë masat e përzgjedhjes së përfituesve të ndihmës sociale pro të varfërve përmes Testit të Varfërisë, duke bërë matjen apo vlerësimit e të gjitha të hyrave e të gjithë anëtarëve të ekonomisë familjare. Deri me tani, është punuar drafti parë i Koncept Dokumentit, i cili do të finalizohet deri në fund të muajit korrik 2019, ku me pas do të procedohet për konsultim publik dhe paraprak. Finalizimi i procesit për hartimin e Koncept Dokumentit për Skemën e Ndihmës Sociale është paraparë të bëhet në fund të muajit shtator 2019, ndërsa aprovimi nga Qeveria e Kosovë në muajin dhjetor 2019.
Sipas të dhënave nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në muajin qershor 2019, në listën e përfituesve të ndihmës sociale kanë qenë 24 mijë e 767 familje, me 100 mijë e 995 anëtarë, kurse shuma e paguar në total ka qenë 2 milionë e 634 mijë e 275 euro.