Në takimin ndërmjet kryeinspektorit të Punës, Basri Ibrahimi, dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhueseve të Materialeve Ndërtimore u tha se gjendja e sigurisë në vendet e punës në sektorin e ndërtimtarisë nuk është e mirë.
Këto komente i ka bërë kryeinspektori Ibrahimi, i cili shtoi se kjo është arsyeja pse kanë vendosur që në vendet e punës të obligohet vënia e skeleve dhe masave të tjera mbrojtëse, përndryshe kompanive ndërtimore do t’u ndërprehet puna.
Ai ka përsëritur se nuk do të ketë kompromis mbi këtë çështje dhe se ndërtimtarët duhet ta respektojnë ligjin, raporton Ekonomia Online.
“Tu e pasë parasysh se kushtet e punës në kompani ndërtimore por edhe kompanitë tjera, fushat tjera të biznesit, siguria në punë lë shumë për të dëshiruar. Duke pasë parasysh se këtë vit i kemi dhjetë raste të vdekjeve nga puna e ndërtimit, puna jonë është të punojmë sa më shumë me biznesin për të përmirësuar kushtet në punë”.
“Personalisht kur kam dalë m’i pa rrethojat anësore prej dërrasave, ka qenë mashtrim hala më i madh, ka punëdhënës që kanë qenë viktimë për shkak të masave që s’i kanë ndërmarrë. Kemi ndërmarrë hapin që të obligohen të gjithë punëdhënësit t’i vënë skelet rrethuese sepse është e vetmja mundësi me mbrojtë shëndetin dhe jetën e punëtorit”.
“Kur konstatojmë shkelje, shqiptojmë gjoba. Në këtë rast asnjë gjobë nuk është shqiptu. Dy çështje kemi kërku, vënien e skeleve dhe pajisjet personale mbrojtëse. Këtë shumë ndërmarrje nuk e bëjnë. E keni pa rastin e Bechtel& Enka-s, njeri ka nejt dy orë vjerrë por ka shpëtu, sepse e ka pasë rripin e sigurisë. Ju as këtë nuk e keni”.
Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës Ndërtimore, ka pranuar se gjendja në ndërtimtari nuk është aspak e mirë, mirëpo ka thënë se nuk është e drejtë që ndërprerja e punës të bëhet menjëherë pasi, sipas tij, kompanive duhet t’u jepet një afat i caktuar kohor që të respektojnë ligjin.
Ai theksoi se nuk ka skele të mjaftueshme në Kosovë që mund të përdoren në siguri ashtu siç u kërkua.
“Nuk mundeni me dalë me vendim, pa analizë se a kemi mundësi teknike. Nëse ndodh edhe me skelet njëjtë është dashtë të mbahet një konsultim. Cilat masa duhet të përcaktoheshin më vonë. Secili ligj është bë copy paste dhe tash duhet edhe ne ashtu me u bë. Jemi dakord që gjendjen nuk e kemi të mirë, por pajtohemi që ndërtimtaria në botë është profesion i rrezikshëm. Shumica e punëtorëve nuk janë të ardhur prej shkollave profesionale, por janë të mësuar prej zorit. Skelet si masë, me vendimin që e keni pru, është i prerë, nuk ka qaq metër katrorë të skeleve në Kosovë që mundet me i rrethu të gjitha. Jepni një kohë pesë-gjashtë muaj, por mos lejoni asnjë objekt me vazhdu punën”.
Ibrahimi ka kundërshtuar atë duke thënë se numri i inspektorëve është i vogël dhe është e pamundshme që të arrijnë t’i përcjellin të gjitha kompanitë njëherësh, prandaj, sipas tij, nuk mund të lejojnë më të ndodhin vdekje në vende pune.
“Në Prishtinë janë bërë 244 inspektime. Nuk është përmirësu gjendja. Veni rrethojat si duhet, jeni shku me dërrasa sepse punëtori mashtrohet se është masë e qëndrueshme. S’keni dashtë me marrë vesh. Nuk është punë e inspektorëve, është punë ligjore. Fatkeqësia më e madhe është se ndërtimtarët presin vetëm kur shkon inspektoriati me punu. Kemi vetëm 42 inspektorë, një herë në pesë vjet të shkojmë dhe çka duhet punëdhënësi është të na presë pas dhjetë vjetësh”.
Adil Hasi, drejtues i një prej kompanive të ndërtimtarisë, ka thënë se ajo që është më me rëndësi është sigurimi i punëtorit. Sipas tij, ajo që ka rëndësi është familja që mbetet prapa.
“Masat e sigurisë për punëtorin. Ndalja punën edhe në qoftë ai mbreti, por jo me ia vu skelet. Edhe ju si inspektoriat, si qeveri merreni një ligj.
“Kush duhet me e bërë rregullimin e sigurimit në punë. Sa here janë ardhë inspektorët, krejt helmetat i kanë. Nuk mund t’i vrasë pse nuk i vëjnë. E kemi këtë mentalitet. Nëse nuk i vë çka me i bë unë. Nuk është puna kush me ia nxënë punën, por me e gjetë një zgjidhje bashkë. Shteti nuk është as i kryeministrit, Ramushit, as i Thaçit, është edhe i jemi”.
Faton Hoxha u është drejtuar përfaqësuesve të kompanive që të bashkohen për të ngritur zërin pasi, sipas tij, askush nuk po bën asgjë për ta, raporton EO.
“Ligji është prej 2014 dhe pas katër vitesh inspektorati paska dalë me zbatu ligjin. Vetë ju keni thënë që janë duke u ndërmarrë masat e sigurisë, pastaj kanë ndalu punën. Me 12 keni thënë se ka masa, me të 2-tin e keni mshelë. Gjatë muajve të kalum keni thënë se janë mirë, tash thoni që s’janë mirë. Jepet një afat, jo mbylle punishten”.
Këshilltari kryeministrit, Haki Shatri, ka bërë thirrje që të dy palët ta gjejnë një zgjidhje të përbashkët, megjithëse ka thënë se nga ajo do të dëmtohen të dyja.
“Të dy palët keni probleme për të cilat jeni ardhë me i zgjidhë. Duhet me i zgjidhë. Të dy palët keni të drejtën e juaj në ato që po thoni. A mund të gjendet ndonjë zgjidhje? Marrëveshje pa u dëmtu nga pak dy palët nuk mund të bëhet. Duke marrë parasysh se është fundi i vitit, edhe një tolerancë me një marrëveshje që të mos ndërprehen krejt edhe këta të mirët, me e përfundu këtë sezonë diqysh dhe sezona e re mos i dhënë leje askujt pa e respektu ligjin”.