Këshilli i Komunës së Prishtinës për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur takimin e radhës në të cilën mori pjesë edhe i pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe përfaqësues të stacioneve të Policisë në Prishtinë dhe të FSK-së.
Driton Ymeri komandant i Stacionit Policorë në Qendër ka thënë se gjatë 2016-ës kanë pasur 279 raste të ndryshme e që zbatueshmeria e këtyre rasteve është 51 për qind.
“Gjatë 2016 i kemi 279 raste të lajmëruara dhe 51 për qind ka pasur zbulueshmeri të këtyre rasteve. Gjithashtu kemi një rënie prej 9 për qind të aksidenteve në komunikacion. Këtë vit kemi pasur rritje operative në ngjarjet sportive, vlen të theksohet rasti në Festivalin ‘Beerfest’ ku është zbuluar se kryesi i veprës është një fëmijë i mitur. Gjatë vitit 2016 duhet të theksojmë edhe vrasjen që ka ndodhur tek parku i qytetit vrasje kjo e dyfishtë, jemi në kërkim të atentatorit pasi që ai ka ikur jashtë shtetit”, ka thënë Ymeri.
Komandanti i Qendrës në Veri të Prishtinës, Gani Berisha, ka thënë se nuk kanë pasur incidente për gjatë vitit 2016 të cilat mund të theksohen. Ai përpos që ka raportuar për një kafshim të një fëmije nga qenët endacak ka apeluar tek kryetari Ahmeti për ndihmë të disa familjeve skamnore, raporton Ekonomi Onaline.
“Stacioni veri ka pasur gjendje të mirë dhe nuk kemi ndonjë incident ndër etnik ose fetar. Raste shqetësuese nuk kemi pasur deri para tri dite ku ka pasur një tentim vrasje. Gjithashtu ka ndodhur edhe një kafshim të një fëmije nga qenët endacak. Po e shoh të arsyeshme të tregoj që në rrugën e Kukësit gjenden familje të cilat janë në gjendje të rëndë dhe kanë nevoje për strehim”, ka thënë Berisha.
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka ndërhyrë në këtë pjesë ku ka thënë se janë duke punuar për të siguruar një strehim më të mirë për ato familje. Gjithashtu Ahmeti ka treguar se shqetësimin për qenët endacak të cilin shqetësim siç tha ai e ka drejtuar edhe në Qeverinë e Kosovës.
“Jemi duke u marrë me strehimin atyre familjeve ata po qëndrojnë në kontejner, por po shohim mundësim për t’i larguar nga aty. Sa u përket qenve endacak ky është problem i të gjitha komunave. Unë kamë kërkuar edhe nga presidenti edhe nga kryeministri, por edhe Asociacioni i Komunave ka dërguar në shkresë në qeveri, e të cilët janë duke punuar për ndryshim të ligjit, dhe besoj që shumë shpejt do të bëhet zgjidhje për kafshët endacake”, ka thënë Ahmeti.
Pjesë e raportimit ishte edhe komandanti i stacionit jug në Prishtinë, Binak Berisha i cili ka thënë se menaxhimi i policisë në këtë stacion ka qenë më i suksesshëm dhe më i zbatueshëm se viti 2015.
“2016 ka qenë vit i sigurisë ka ndodhur disa raste po menaxhimi ka qenë i mirë. Edhe në zbatueshmëri edhe në zbulueshmëri ka qenë më i suksesshëm se 2015. Kemi pasur disa raste të gjuajtjeve me armë kryesisht nëpër ahengje familjare e nëpër dasma por që i kemi identifikuar menjëherë”, ka thënë Berisha.
Ahmeti gjatë takimeve që kishte pasur me komandantë të KFOR-t ka vlerësuar që pavarësisht protestave të ndryshme të cilat i ka Prishtina, gjendja e sigurisë në kryeqytet vazhdon të jetë e qetë dhe e sigurt.