Në KEK kanë theksuar për Buletinin Ekonomik, se në periudhën e muajve të këtij dimri, Kosova ka marrë diku rreth 220 mijë megavatë-orë energji elektrike, si kthim borxhi, por edhe si huazim, ose borxh i krijuar ndaj KESH-it. Tashmë, Kosova, pas kthimit të tërësishëm të borxhit nga sistemi elektroenergjetik shqiptar, ka huazuar nga Shqipëria diku rreth 34 mijë megavatë-orë si borxh, të cilin do të kthej gjatë muajve të verës, kur në Kosovë ka teprica, ndërsa në Shqipëri ka nevojë për më shumë energji elektrike edhe për shkak të turizmit veror.
“Dinosaurët” e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë, siç i çuajnë shumëkush figurativisht termocentralet e Kosovës për shkak të vjetërsisë së tyre ( blloku i parë i Kosova A ka startuar që në 1962-shin e largët, ndërsa Kosova B në vitin 1979), sivjet, me prodhimin e vazhdueshëm konstant dhe me ritëm imponues të prodhimit të energjisë elektrike ishin shtyllat reale të furnizimit me rrymë të konsumit të vendit pa reduktime të theksueshme gjatë tërë këtij dimri. Me këtë u dëshmua se sa i dobishëm dhe i domosdoshëm remonti i rregullte i planifikuar në të gjitha njësitë ekzistuese të termocentraleve të Kosovës, të bëra gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës.
Freskimi goxha i detajuar teknik i blloqeve B 1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 dhe A4 të Kosova A, gjatë vitit të kaluar ka ndikuar shumë në punën e mirë dhe në prodhimin kontinuel dhe tashmë të standardizuar të këtyre kapaciteteve të stërvjetëruara realisht, duke arritur kuotat e planifikuara të prodhimit, madje edhe përtej tyre edhe gjatë këtyre ditëve të dimrit.
Me fjalë të tjera, ka kohë që nga termocentralet e Kosovës që gjenden në prodhim, respektivisht nga blloku B1 dhe B2 të Kosovës B, që kanë bashkarisht kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e secilit bllok është 260 megavat-orë dhe A3 dhe A 4 të Kosova A, me gjithsej 260 megavatë-orë, prodhohen diku afër 800 megavat. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar gjatë këtij dimri me të reshura dhe me erë goxha intensive plus më së paku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Por, nuk duhet harruar se në evitimin e reduktimeve gjatë këtij dimri, ose më saktësisht që nga vjeshta e vitit të kaluar e deri në këto ditë të marsit të këtij viti, sasisë së energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-u, ndikim evident ka pasur edhe sasia e konsiderueshme e energjisë elektrike që për muaj të tërë erdhi nga Shqipëria në Kosovë, në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës, gjegjësisht që KESH ia ktheu borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë muajve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar.
Shqipëria, siç dihet, nga reshjet e shumta, kishte goxha teprica të energjisë elektrike, dhe kjo ia bëri të mundshme që kushtimisht ta ndihmojë efektshëm Kosovën për ta përballuar dimrin dhe për t’i ikur importit të rrymës me çmime të shtrenjta. Reshjet e shumta dhe të zgjatura në fund të nëntorit në rajon (në vendin tonë, në shtetet fqinje dhe sidomos në Shqipëri), ishin tejet dobiprurëse dhe përmirësuan ndjeshëm bilancet energjetike të vendeve që kanë më shumë hidrokapacitete elektroenergjetike. Këto reshje kanë ndikuar më së shumti në përmirësimin e gjendjes energjetike në Shqipëri, ku vrullshëm dhe brenda disa ditësh, praktikisht u mbushën akumulimet e ujit në kaskadën e Drinit, duke ua bërë të mundshme hidrocentraleve të Shqipërisë prodhimin maksimal të rrymës.
Në saje të ujërave të bollshme, sistemi elektroenergjetik shqiptar, qëkur u mbushën me ujë bazenet në kaskadën e Drinit, nisi edhe të eksportojë një sasi të mirë të rrymës, t’i kthej borxhet në rrymë dhe zuri ta përmirësojë gjendjen financiare, të rënduar nga importet në sasi të mëdha të rrymës për nevojat e veta gjatë kohëve kur nuk kishte ujë të mjëftueshëm. KEK-u, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik, gjatë ditëve të verës dhe sidomos gjatë orëve të natës, kur nevojat e Kosovës ishin më të vogëla se konsumi, i ka dhënë hua, ose ka deponuar në KESH një sasi të madhe të rrymës. Dhe, këtë borxh, Shqipëria e ktheu gjatë muajve të dimrit.
Thuaja për ditë Kosova mori nga Shqipëria 200-300 megavatë-orë, ose gjatë 24 orëve diku rreth 2 mijë megavatë-orë. Dhe e tërë sasia, edhe prodhimi nga kapacitetet vendore edhe energjia e rikthyer si borxh nga Shqipëria iu vu në dispozicion KEDS-it, plus një sasi e vogël iu dedikua vazhdimisht Termokosit si energji termike për ngrohjen qendrore të Prishtinës. Në KEK kanë theksuar të premtën për Buletinin Ekonomik, se në këtë përiudhë të muajve të këtij dimri, Kosova ka marrë diku rreth 220 mijë megavatë-orë energji elektrike, si kthim borxhi, por edhe si huazim, ose borxh i krijuar ndaj KESH-it.
Tashmë, Kosova, pas kthimit të tërësishëm të borxhit nga sistemi elektroenergjetik shqiptar, ka huazuar nga KESH-i diku rreth 34 mijë megavatë-orë si borxh, të cilin do të kthej gjatë muajve të verës, kur në Kosovë ka teprica, ndërsa në Shqipëri ka nevojë për më shumë energji elektrike edhe për shkak të turizmit veror. Siç kanë njoftuar në KEK, që nga 28 shkurti i këtij viti Kosova nuk është duke marrë fare energji elektrike nga Shqipëria. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, tani, kur ka filluar të ngritën ndjeshëm temperaturat, praktikisht konsumit të Kosovës thuaja se po i përmbushën nevojat nga prodhimi vendor. Nuk njoftohet nga KEDS-i se a ka nevojë për të importuar këtyre ditëve, akoma me temperatura relativisht të ulëta gjatë natës. Gjithsesi , mungesa e energjisë elektrike nga Shqipëria, që për muaj të tërë ishte një ndihmesë e madhe për stabilitetin e sistemit ekektroenergjetik të vendit, do të ndihet nëse do të ketë temperatura të ulëta, kur konsumi i rrymës në Kosovë rriten ndjeshëm, sidomos gjatë orëve të pikut. Në këtë raste, imponohet importimi i energjisë elektrike, çmimi i të cilës tani në tregjet ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm. Sot (e premte, 17 mars 20230 , bie fjala në tregun hungarez HUPX, një megavat ka kushtuar 93, 11 euro, dhe ky çmim në pik arrin në 97 euro. Dhe ky çmim, duhet theksuar se është shumëfish më i ulët se sa çmimi i rrymës së importuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por edhe disa fish më i ulët se sa që ishte gjatë tërë gjysmës së parë të vitit të kaluar. /Buletini Ekonomik