Atasheu ushtarak në ShBA pensionohet nga FSK-ja

Prishtinë | 18 Gus 2016 | 16:26 | Nga

Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës (MFSK), mbajti sot një ceremoni zyrtare për nderë të pensionimit vullnetar të gjeneral brigade Xhavit Gashi, atashe i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Me këtë rast, zëvendësministri Fadil Gashi në emër të ministrit të FSK-së, Haki Demolli dhe në emër të ministrisë i dorëzoi medaljen “Shërbim i shquar” duke e falënderuar gjeneral Gashin, për shërbimin në Ministri dhe në Forcën e Sigurisë si dhe për kontributin e tij dhënë në diplomacinë ushtarake gjatë shërbimit si Atashe i FSK-së në Uashington.

Më tej, zëvendës ministri Gashi tha se puna, profesionalizmi dhe përkushtimi i pareshtur i gjeneral Gashit, përgjatë viteve të shërbimit ka ndikuar në të mirë të avancimit dhe progresit të gjithëmbarshëm në FSK, e sidomos angazhimi i gjeneralit në detyrën e atasheut të FSK-së në SHBA, ka ndikuar në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve në mes të Ministrisë së FSK-së dhe SHBA-ve në fushën e sigurisë.

Ndërsa Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama i ndau gjeneral brigade Xhavit Gashit “Medaljen e karrierës” me rastin e përfundimit të shërbimit në uniformë. Ndër të tjera gjeneral Rama tha se, personalisht gjeneral Gashin e ka njohur gjatë kohës së luftës për liri, në ditët shumë të vështira për vendin, e më vonë tha gjenerali Rama kemi shërbyem së bashku në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës(TMK) dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.  Për gjatë gjithë këtyre viteve, gjeneral Gashi ka treguar përkushtim, profesionalizëm si dhe ka dhënë kontribut të madh, sidomos me rastin e përfaqësimit të FSK-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe forcimit të bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Kurse, gjeneral brigade Xhavit Gashi në ceremoninë e organizuar me rastin e pensionimit të tij, tha se: ,,Sado që kam emocione në këtë ditë, më shumë kam krenari dhe falënderime për të gjithë ju, që më mbështetët, por më së shumti për mundësitë që mi keni dhënë për të ardhur deri  këtu”.

“Nuk mund të harroj mbështetjen e vazhdueshme që kam pasur nga lidershipi në çdo punë që kam kryer, sikur shumica nga ju, edhe mua më ka ndodhur që të jem i pari në këtë apo atë pozitë, i pari nga Kosova në këtë pozitë apo shkollim, dhe e gjitha kjo, jo për shkak timin, por thjeshtë për shkak të mundësive që më janë dhënë nga vendi im”, tha ai.

“Dua të kujtojë të gjithë ata djem dhe vajza që ranë në altarin e lirisë, të gjithë ata që në forma të ndryshme kontribuuan ndër dekada, që neve në përgjithësi,  por në këtë rast dua të them, mua ma dhanë mundësinë të jem ushtar i Kosovës, oficer i Kosovës dhe ta kem nderin ta përfaqësojë ushtrinë dhe vendin tim në SHBA dhe përmes SHBA-ve në vende të ndryshme të Botës”.

Në ceremoni morën pjesë edhe zëvendës ministri Muhamet Latifi, drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane, Faruk Geci, shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, ambasadorja e Republikës së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, atasheu ushtarak i SHBA-ve në Kosovë, koloneli Chad Buts, drejtori i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s, gjenerali Ernest Horn, shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore, koloneli Naim Haziri, familja e gjeneral Gashit, atashetë e FSK-së në Gjermani dhe Turqi, kolonel Xhavit Sadrijaj dhe nënkolonel Bekim Osmani, si dhe oficerë të lartë të FSK-së.

Gjeneral brigade Xhavit Gashi ka filluar karrierën e tij ushtarake në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pastaj ka shërbyer në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës në detyra të ndryshme,  si dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, fillimisht ka qenë drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtarë dhe Siguri dhe katër vitet e fundit, ka kryer detyrën e Atasheut të FSK-së, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjeneral Gashi u pensionuar para kohe vullnetarisht për të vazhduar karrierën e tij në jetën civile.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme