Gjeneratat e reja nuk kanë frikë nga Serbia

Prishtinë | 03 Qer 2023 | 16:04 | Nga Skender Berisha

Është interesante kur takon gjeneratat më të vjetra, që kanë patur rastin të jetojnë para luftës, dhe që kanë qenë të preokupuar me jetën dhe mbijetesën e tyre, disi në një kënd të shpirtit kishin frikën e mbjellë nga gjithë ai sistem dhe ajo makineri e pushtetit të atëhershëm Serb.
Ka qenë dhe vazhdon të jetë prezent ajo frikë te këto gjenerata, “se Serbia është e fortë, se ajo na fshin, se ajo ka kapacitete të mëdha, se ajo ka qenë kshtu e ashtu”, dhe shumë epitete të tjera, e në anën tjetër me këto tipare pozitive ndaj armikut, pa vetëdije ka sulmuar veten dhe gjithsesi ka mbjellë frikë edhe tek të afërmit dhe rrethi.

Sot, nuk mund të themi se është ashtu.
Gjeneratave të reja nuk duhet t’u prezantohet armiku si i paprekur, vetëm se t’i ke qenë i ndrojtur ndaj tij.
Edhe pse ndoshta ka prej tyre që akoma u flasin fëmijëve, nipav dhe mbesave se si Serbia ka qenë një forcë, se si ajo ka bërë kërdi ndaj njerëzve, se si ajo i ka keqtrajtuar dhe vrarë vazhdimisht, ka dhunuar dhe ka bërë masakra nga më të ndryshmet.
Asnjëherë nuk duhet harruar anën tjetër të medaljes, momentin kur u vendos t’i kthehet pushka armikut, atëherë dhe vetëm atëherë kur vetëvlerësimin e bënin në një mënyrë tjetër.

Tani gjeneratat e reja nuk dijnë se çka është frika e armikut shekullor.

Gjeneratat që kanë lindur rreth viteve ’99 e këtej, nuk e konsiderojnë shumë seriozisht Serbinë. Ata vazhdojnë të mësojnë në shkollat e vendit për historinë dhe vështirësitë që ka kaluar Kosova, shumë prej tyre kanë shtuar  interesimin për t’u inkuadruar në ushtrinë e Kosovës, në Policinë dhe shumë institucione tjera ku kontribuohet për vendin.
Pra, me një fjalë mund të themi se ajo frikë dalëngadalë po largohet nga ky popull i vuajtur, po kthehet shpresa, edhe pse me shumë peripeci njerëzit kanë shpresë për t’iu përshtatur jetës dinamike, dhe nostalgjis negative mos t’i kushtohet shumë kohë dhe hapsirë për diskutim.

Ky vend që nga paslufta është duke përcjellë zhvillimet politike dhe ekonomike gjithandej, me bindjen se këto probleme brenda vetes të mbjellura kaherë të hiqen dhe t’i mbeten historisë, dhe dalëngadalë gjeneratat e vjetra mos të mendojnë për atë se çfarë çmimi kanë paguar gjatë jetës së tyre, por t’u japin shpresë gjeneratave të reja, t’u flasin për mundësinë që kanë, për hapësirën e lirë në çdo fushë, për kapacitetet e tyre të shkollimit, të formulojnë fjalë pozitive për këtë vend, t’u japin shpresë dhe motiv të rinjve, dhe ky vend me perspektivë të mos ngelet ashtu sikur po mbeten shumë vende pa rini, që është edhe njëra nga arsyet pse ekziston një shtet.
Prandaj, jepni shpresë dhe motiv të rinjve, sepse ky vend me këtë popull të shkëlqyer meriton të ketë një jetë të dinjitetshme dhe perspektivën e ka të të sigurt.



Të ngjashme