Zëvendësministri i Jashtëm, Gjergj Dedaj, do të ndërrojë punë. Ai do të bëhet ambasador i Kosovës në Maqedoni, mes debatit për shkarkimin e tij nga posti aktual, pas deklaratave të fyese drejt shtetit të Turqisë.
Ai këtë e ka konfirmuar në rrjetin social Facebook.
“Në një mision të ri, përgjegjësi shtetërore për Kosovën! Falënderoj presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për besimin dhe dekretimin tim, për Ambasador/Shef i Misionit Diplomatik, të Republikës se Kosovës, në Republikën e Maqedonisë”, ka shkruar Dedaj.
Gjergj Dedaj e quajti Turqinë “Shtrigë të Ballkanit”, duke provokuar hidhërimin e deputetëve të komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës, të cilët kërcënuan hapur Qeverinë: të shkarkohet Dedaj ose do të largohen nga koalicioni qeverisës, transmeton Ekonomia Online.