Testet e tanishme të shpejta të antigjenit u jepen vetëm mjekëve, institucioneve mjekësore dhe infermierore, ndërsa institucionet arsimore gjithashtu janë lejuar t’i përdorin ato që nga dhjetori.
Por ndryshimet në legjislacion do t’i jepnin publikut të gjerë më shumë akses në teste të shpejta, përcjell albinfo.ch.
Disa kompani private tashmë shesin teste të shpejta në internet. Kostot mund të ndryshojnë, nga rreth 80 € në mbi 200 €.
Në draft dokumentin e Ministrisë thuhet se testet për vetë-përdorim do të luajnë një rol të madh në mbajtjen e pandemisë në të ardhmen.
“Testime të tilla janë një kontribut i rëndësishëm për të optimizuar strategjinë e testimit në Gjermani,” thotë drafti.
Këto teste nuk janë ende në dispozicion, sipas Ministrisë dhe Shoqatës Federale të Farmacistëve Gjermanë (ABDA), por ato janë duke u zhvilluar, përcjell tutje albinfo.ch.
Para se “testet për vetë-administrim” të mund të dalin në shitje, ata duhet të kalojnë nëpër një procedurë të posaçme miratimi.
Sipas Ministrisë, duhet të provohet se ato funksionojnë mirë dhe mund të përdoren nga publiku i gjerë.
Drejtori menaxhues i Shoqatës së Industrisë së Diagnostifikimit, Martin Walger, i tha DPA të hënën se do të duheshin “disa javë” derisa të ndodhë miratimi.
Sipas Walger, ka mënyra të ndryshme për të kryer teste të shpejta, duke përfshirë shtupat e hundës dhe testet e pështymës.
Çmimet e testit do të llogariten dhe vendosen individualisht nga secili prodhues dhe gjithashtu nga farmacitë. Testet gjithashtu ndoshta do të ndryshojnë në cilësinë e tyre dhe mënyrën e punës në mënyrë që të reflektohet në çmim.
Përveç vetë-testeve, ndryshimi i planifikuar i ligjeve nga Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ofron më shumë mundësi për të përdorur testet ekzistuese të shpejta të antigjenit në jetën profesionale.
Për këtë qëllim, numri i institucioneve që do të kenë qasje në testet e shpejta do të zgjerohet. “Infrastrukturat kritike” do t’u jepet gjithashtu mundësia për të marrë teste, thuhet në draft. Ndër të tjera, përmenden sektorët e energjisë, IT, telekomunikacionit, transportit dhe trafikut.