Qeveria gjermane miratoi projektin e “ligjit të kthimit të rregullt”, në mënyrë që të mos dështojnë kaq shumë riatdhesime. Ai parashikon që të lehtësohet arrestimi i personave me detyrim për t’u larguar nga Gjermania.
Në rrugë këtë projekt e vuri Ministria Federale e Brendshme nën drejtimin e Horst Seehoferit (CSU). Projekti i tij parashikon që në të ardhmen të jepen shumë më pak para për të huaj, të cilët janë njohur në një shtet tjetër të BE si refugjatë.
“Shërbimet për ta reduktohen si të thuash në biletën e kthimit”, tha zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar Unionist, Thorsten Frei pas mbledhjes së kabinetit në Berlin, raporton DW.
Veç kësaj do të zgjerohen mundësitë që personat e detyruar për t’u kthyer të arrestohen, para kthimit të planifikuar. Një ndryshim i parakushteve për një rrezik të supozuar arratie do të bëjë të mundur që arresti të mund të zbatohet më lehtë.
Meqenëse në Gjermani, për momentin ka vetëm 490 vende arresti për të huajt që duhet të largohen me detyrim nga Gjermania, Seehoferi do të lejojë deri në vitin 2022 që këta persona t’i fusin edhe në burgje të rregullta – por të ndarë megjithatë në mënyrë strikte nga të arrestuarit nën burgim hetimor dhe nga të arrestuarit e dënuar për vepra penale.
Sipas ministrit të Brendshëm gjerman, në vitin 2018 për herë të parë dështuan më shumë përpjekje për kthim me detyrim se sa u arrit të kthehen persona. 31.000 dëbime të caktuara nuk u kryen dot vitin e kaluar, vetëm 26.000 u zbatuan, deklaroi Seehoferi. Kjo është një situatë, të cilën një ministër i Brendshëm nuk mund ta pranojë, deklaroi Seehoferi.
Qytetet dhe komunat janë të mbingarkuara
E ngarkuara për Integrimin e Qeverisë gjermane, Annette Widmann-Mauz (CDU) i tha radios Deutschlandfunk se është e drejtë që të ndërmerret gjithçka, që ata që nuk kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje të largohen sërish me shpejtësi nga Gjermania. Edhe Shoqata e Qyteteve dhe Komunave Gjermane e përshëndeti projektligjin si “instrument të mirë, për të shmangur një mbingarkim të qyteteve dhe komunave”.
Sipas të dhënave të drejtuesit ekzekutiv Gerd Landsberg, vitin e kaluar, prej rreth 180.000 refugjatëve që hynë në Gjermani, statusin e refugjatit ose të personave në nevojë për t’u mbrojtur e morën më pak se 40 përqind. “Megjithë ekzistencën e rregullave të qarta, arrihet gjithnjë e më pak që këta njerëz të kthehen në atdhetë e tyre”.
Kritika për projektligjin erdhi si nga opozita, ku liberalët e FDP-së folën për shkelje të kundraligjshme të sistemit, ashtu edhe nga organizata Pro Asyl, drejtuesi ekzekutiv i së cilës Günter Burkhardt deklaroi se propozimi ka si synim “zhveshjen nga të drejtat, më shumë arrest dhe një spostim nga Gjermania duke hequr shërbimet sociale”.