Një 35-vjeçar, pjesëtar i një grupi kriminal që nëpërmjet mashtrimit përmes call center-it u ka shkaktuar qytetarëve rreth 187 mijë euro dëm, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me homologët e Interpol Wiesbaden, në vijim të operacionit “The Wanted”, u finalizua procedura e ekstradimit të shtetasit në kërkim ndërkombëtar, E. L., 35 vjeç, i lindur në Tropojë.
Në muajin korrik 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “mashtrimi kompjuterik”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në dëm të disa qytetarëve.
Nga hetimet rezulton se E. L., në bashkëpunim me persona të tjerë, të organizuar si grup, përmes një call center-i të zbuluar në vitin 2024, kanë kryer 17 raste dhe tentativa të mashtrimit kompjuterik.