Në shënimin e 25-vjetorit të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, është vlerësuar lart kontributi i i shtetit gjerman për shtetndërtimin e Kosovës. Me këtë rast është prezantuar edhe dizajni i ri i “Buddy Bear”, si simbol i miqësisë mes dy shteteve, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Matthias Conrad, tha se qëndrojnë përkrah Kosovës, jo vetëm si partner dhe aleat, por si mik i vërtetë, duke ndarë vizionin e ardhshëm për një Evropë të begatë dhe të sigurt.
Conrad tha se përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës është i palëkundur.
Ai potencoi se që nga viti 1999, Gjermania ka i investuar afër një miliard euro për ndërtimin e infrastrukturës, nxitjen e rritjes ekonomike, rritjen e shërbimeve sociale, fuqizimin e komuniteteve, inovacionin, punësimin, integrimin në BE e të tjera.
Conrad shtoi se mbështesin dëshirën e Kosovës për t’u integruar në familjen euroatlantike.
“Përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës është i palëkundur. Dhe ndërsa reflektojmë për veten tonë, historinë tonë gjermane, historinë tonë të trazuar gjermane, historinë e vështirë, ne e kuptojmë dhe e mbështesim shumë dëshirën e Kosovës për t’u integruar në familjen euroatlantike. Ne qëndrojmë përkrah Kosovës, jo vetëm si partner dhe aleat, por si mik i vërtetë, ndajmë vizionin e ardhshëm për një Evropë të begatë dhe të sigurt. Gjatë çerek shekullit të kaluar, 25 vjet, Kosova ka bërë përparime të jashtëzakonshme në aspektin ekonomik, zhvillimit shoqëror, dhe si një komb sovran… Gjermania ka investuar afër një miliardë euro që nga viti 1999. Këto para janë drejtuar për ndërtimin e infrastrukturës për të nxitur rritjen ekonomike, rritjen e shërbimeve sociale, fuqizimin e komuniteteve, inovacionin, të rinjtë, punësimin, integrimin në BE, menaxhimin e mbeturinave, për një Kosovë më të gjelbër dhe më të shëndetshme”, tha Conrad.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se Gjermania është një ndër shtetet e para që ka mbështetur Kosovën në etapa të ndryshme. Ajo falënderoi këtë shtet edhe për ruajtjen e sigurisë në Kosovë.
“Unë si ministre jam dëshmitare e bashkëpunimin tonë special me shtetin mik, Gjermaninë. Gjermania është një nga shtetet e para që e njohu Pavarësinë e Kosovës, është partneri kryesor tregtar për Kosovën. Gjermania është partneri kryesor për sigurinë e Kosovës me ekipin më të madhe të KFOR-it prë ta ruajtur sigurinë tonë. Jam dëshmitare ku në vitin 2008, pas deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, në konferencën pas pavarësisë, Gjermania ishte një nga donatorët më të mëdha për Republikën e Kosovës, duke bërë zotime për ndihmë në shumë sfera”.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh mirënjohës për gjithçka që shteti gjerman ka bërë për Kosovën.
Ai tha se prezantimi i “Buddy Bear”, është simbol i partneritetit të përbashkët dhe miqësisë ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.
“Simbol i partneritetit tonë të përbashkët, i miqësisë sonë, por edhe është diçka që na kujton gjithçka që kombi gjerman ka bërë për ne për Kosovën, për Prishtinën dhe ne jemi shumë, shumë mirënjohës. Padyshim super krenar sot që kam pjesën simbolike që nga viti 2001 ka përhapur fjalë miqësie, paqeje, bashkëpunimi në qytete të ndryshme anembanë botës, besoj se është në Tokio, në Paris, në Londër dhe në Nju Jork, tani, këtë e kemi edhe në Prishtinë. Ajo që më bën gjithashtu shumë të lumtur është se artisti ynë i madh këtu, Taki (Taulant Qerkinaj), ka punuar në veprën dhe mezi pres ta zbuloj këtu për të gjithë banorët e Prishtinës këtu në Kosovë, dhe premtoj se do gjejmë një vend të përshtatshëm, të bukur për të që të qëndrojë këtu përgjithmonë, duke festuar miqësinë tonë, duke festuar bashkëpunimin tonë dhe duke festuar potencialin tonë të ardhshëm për të dy vendet për Gjermaninë dhe Kosovën”, potencoi Rama.