Gjermania legalizon kanabisin, a duhet edhe Kosova? – Flet doktoresha nga Gjermania

Prishtinë | 26 Shk 2024 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Doktoresha shqiptare në Gjermani ka thënë se legalizimi i kanabisit është ndikim pozitiv për pacientët me sëmundje kronike, por ka theksuar se kjo gjë për Kosovën është ende shumë herët.

Një punonjës mban kanabis në laborator në selinë e prodhuesit të ilaçeve bimore Bionorica në Neumarkt, Gjermani.
Doktoresha shqiptare, që jeton dhe punon në Gjermani, Aurora Dollenberg, për vendimin e fundit të parlamentit gjerman për legalizimin e kanabisit, ka theksuar se një nga arsyet kyçe për këtë vendim ishte rritja e shpejtë e konsumit të kanabisit nën moshën 18 vjeç.

Por, kjo gjë për Kosovën, sipas saj, është ende herët.

Ajo ka përmendur modelin holandez dhe spanjoll si shembuj, ku legalizimi i kanabisit është bërë prej disa vitesh.

Diskutimet për legalizimin e kanabisit kanë qenë të pranishme në Parlamentin gjerman për dy vjet, dhe vendimi përfundimtar u mor me mbi 50% të votave.

“Edhe pse ende nuk është një ligj i përfunduar, është vendosur që këtë vit të përcaktohen rregullat dhe statistikat për konsumatorët që deri më tani kanë përdorur kanabisin nga tregu i zi”, ka thënë ajo për emisionin “Rreth e Rrotull”.


Sipas saj, një nga avantazhet e këtij vendimi është për pacientët me sëmundje kronike, duke theksuar se ata nuk do të kenë më nevojë për receta mjeku për të përdorur kanabisin.

“Një nga aspektet është më mirë, që pacientet që ne kemi, që janë me sëmundje kronike, siç mund të jetë kanceri ose sëmundje reumatologjike, kur dhimbja është kronike këta pacient nuk do të kenë më nevojë për recetën e mjekut, do të bëhen automatikisht me atë indikacionin mjekësor që kanë, do të bëhen anëtarë të këtyre klubeve që i quajmë klubet e kanabisit”, ka deklaruar ajo.

“Klubet e kanabisit do të jenë opsioni ku pacientët mund të anëtarësohen për të përdorur kanabisin me indikacion mjekësor”, ka theksuar Dollenberg.

Ndryshe nga disa vende, Dollenberg ka thënë se Gjermania do të ndjekë një model që e ndalon shitjen publike dhe të pakontrolluar të kanabisit për shkak të një ligji të Bashkimit Evropian.

“Klubet e kanabisit do të funksionojnë si qendra të autorizuara për furnizimin dhe përdorimin e kanabisit”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, një pjesë e madhe e banorëve gjermanë do të donin të anëtarësoheshin në këto shoqata dhe të përfitonin nga legalizimi i kanabisit në një mënyrë të kontrolluar.

Të ngjashme