E ardhmja e Qeverisë së Angela Merkelit është vënë në pikëpyetje, pasi që partia partnere në koalicionin e saj (SPD) ka zgjedhur në krye një udhëheqësi të majtë, që është zotuar t’i rinegociojë kushtet e aleancës.
Norbert Walter-Borjans dhe Saskia Esken nga e majta e SPD-së kanë kërkuar që partia e Angela Merkelit (CDU) të jetë e gatshme për kompromise të reja, duke shtuar se nëse një gjë e tillë nuk ndodh, ata janë të gatshëm që t’i japin fund partneritetit.
Gjermania përballet me muaj të paqartësisë politike në rast të shembjes së koalicionit, i cili ka qenë i brishtë që nga krijimi i tij, pas zgjedhjeve të 2017-s, shkruan “The Guardian”, transmeton Koha Ditore. E tërë kjo e rrit mundësinë që Merkel, që ka thënë se nuk do të kandidojë për një mandat tjetër, do të largohet nga skena politike më herët sesa që kishte synuar.
Walter-Borjans dhe Esken e siguruan me një rezultat të ngushtë vendin e parë për udhëheqjen e SPD-së të shtunën, me 53 për qind të votave, duke i mposhtur për tetë pika favoritët, Olaf Scholzin, ministrin e Financave dhe nënkancelaren Klara Geyëitz, në raundin e dytë.
Rezultati, me një pjesëmarrje prej 54 për qind të 425.000 anëtarëve të SPD-së, paraqet goditje të rëndë për Scholzin, njërin prej arkitektëve të koalicionit të madh, teksa ishte parë si votëbesim për të.
Në fokus tani është Scholzi. Po qe se ai vendos të japë dorëheqje nga postet e tij në ministri si rezultat i disfatës, koalicioni në esencë do të marrë fund, madje edhe nëse nuk mbahen zgjedhje deri në vitin e ardhshëm.
Paqartësitë pasqyrojnë tensionet në zemër të politikës gjermane, pas sfidave gjithnjë e më të theksuara për partitë tradicionale nga “Alternativa për Gjermaninë” e së djathtës ekstreme, “Die Linke” e së majtës dhe “Të Gjelbrit”.
Shtyllë qendrore e fushatës së Walter-Borjans dhe Esken ishte kundërshtimi i tyre ndaj pjesëmarrjes së SPD-së në koalicion, që konsiderohet pjesërisht shkaktar për rënien e përkrahjes për këtë parti. Shumica në parti besojnë se qeverisja në hijen e Merkelit ka kontribuar në rezultatet e dobëta të SPD-së në zgjedhjet rajonale dhe evropiane të këtij viti, gjë që e shkaktoi dorëheqjen e Andrea Nahlesit, lideres së parë të SPD-së.