Shkencëtarët në Gjermani kanë organizuar tri koncerte të muzikës pop në lindje të qytetit Leipzig, për të studiuar rrezikun nga koronavirusi në ngjarjet e mëdha në hapësira të jashtme.
Të gjithë pjesëmarrësit që kanë marrë pjesë në tri koncertet e ndara të këngëtarit gjerman Tim Bendzko, më 22 gusht, është dashur të kenë një rezultat negativ të testit për koronavirus.
Pjesëmarrësve u është matur temperatura e trupit para hyrjes në koncert. Të gjithë kishin vendosur maska FFP2 si dhe një pajisje elektronike që monitoronte lëvizjet e tyre në atë zonë.
“Ne duam të studiojmë se sa kanë pasur kontakt mes vete gjatë koncertit pjesëmarrësit – por ende nuk është e qartë”, tha Stefan Moritz, drejtues i hulumtimit nga Spitali Universitar në Halle.
Studiuesit kanë gjetur edhe lëvizjen e grimcave në ajër që mund të transmetojnë virusin.
Ata kanë marrë për bazë tre skenarë për të krahasuar mënyrat e uljes së rrezikut nga infektimi.
Skenari i parë përfshin koncertet si në kohën para pandemisë, derisa i dyti përfshin pjesëmarrësit që kanë përcjellur rekomandimet mjekësore.
Koncerti i tretë kishte një numër të limituar të pjesëmarrësve të cilët qëndronin 1.5 metra larg njëri-tjetrit.
Vetëm rreth një e treta e 4,200 vullnetarëve që studiuesit kishin shpresuar të tërhiqnin në koncert, kanë marrë pjesë në këtë ngjarje.
Qëllimi i studimit ishte për të zbuluar nëse koncertet dhe ngjarjet e tjera të mëdha mund të lejohen të rifillojnë duke shmangur rreziqet e infektimit.
Shumica e vendeve, përfshirë Gjermaninë, kanë ndaluar ngjarjet në masë për të shmangur përhapjen e virusit.
“Ka të bëjë me një qasje të bazuar në prova,” tha Michael Gekle, dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Halle.
“Nëse dikush pyet tani se çfarë lloj rreziku është i përfshirë në një ngjarje si kjo, askush nuk e di,” tha Gekle.