Gjesti shembullor i Lewandowskit kundër Anglisë bëhet viral

Prishtinë | 09 Sht 2021 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Pak para se gjyqtari kryesor, gjermani Daniel Siebert, të vërshëllente për nisjen e sfidës Poloni – Angli, e mbyllur në barazim 1-1, ndodhi një episod i shëmtuar me protagonistë negativë tifozët polakë.

Në mënyrë të turpshme, mbështetësit e ekipit vendës vërshëllyen futbollistët anglezë, në momentin kur u ulën në gjunjë në mbështetje të lëvizjes “Black Lives Matter”.

Në atë moment, kapiteni i Polonisë, Robert Lewandowski, si kundërpërgjigje për këtë veprim aspak të hijshëm, bëri një gjest sa të thjeshtë aq edhe domethënës.

Ai tregoi me gisht fjalën “respekt” të stampuar në fanellë.

Ky moment i fokusuar nga kamerat, shumë shpejt bëri xhiron e botës, i përshëndetur nga miliona të pasionuar të futbollit anembanë rruzullit.

Robert Lewandowski tregoi me këtë gjest se nuk është thjesht një futbollist i madh, por edhe një karakter për t’u marrë shembull.


Të ngjashme