Gjilani dhe Parteshi nuk kanë arritur marrëveshje për zhvillimin e projektit ndërkomunal për ndërtimin e Rrugës së Kumanovës, e cila shtrihet në zonat kadastrale të këtyre dy komunave.
Ndonëse mungon marrëveshja, pushteti komunal i Gjilanit është duke e zhvilluar këtë projekt. Tashmë ajo ka angazhuar një kompani, e cila ka për detyrë të përgatitë elaboratin e shpronësimeve për nevojat e ndërtimit të rrugës.
Me këtë projekt synohet lidhja e qytetit të Gjilanit me fshatin Zhegër dhe nëpërmjet saj me kalimin kufitar në Stançiq. Drejtori komunal i Kadastrës në Gjilan, Salih Fazliu, ka thënë se do të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të bartë barrën financiare për shpronësimet që do të realizohen. Ai thotë se me qeverisjen komunale të Parteshit janë duke tentuar që të kenë marrëveshje.
“Elaborati është duke u përgatitur nga kompania e cila ka bërë projektin e rrugës dhe do të identifikohen të gjitha pronat private që preken me ndërtimin e rrugës. Rruga e Kumanovës shtrihet në zonën e Gjilanit dhe të Parteshit. Dy komunat janë duke bërë përpjekje për një marrëveshje që për shpronësimet t’i drejtohen Qeverisë së Kosovës, e cila duhet t’i bartë obligimet, meqë kjo rrugë është ndërkomunale. Në fakt, ky projekt i infrastrukturës mundëson që të kemi një lidhje më të shpejtë në drejtim të kufirit me Maqedoninë”, ka thënë ai, shkruan koha ditore.