Pas Prishtinës, qyteti i Gjilanit sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (IKShPK) ka numrin më të madh të të infektuarve me Covid-19 ditëve të fundit.
E, për të parandaluar rritjen e numrit të prekurve me virusin korona, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar se qyteti i Gjilanit mund të futet sërish në karantinë.
Por nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, konsideron se është e panevojshme një masë e tillë.
Ai tha për gazetën Objektiv se situata është nën kontroll për momentin.
“Konsiderojmë që situata është e menaxhueshme, nuk ka nevojë për masa shtesë sepse komiteti emergjent është ka i kryen të gjitha detyrat sipas asaj që është planifikuar, kemi një ngritje të rasteve mirëpo kryesisht janë raste në vetizolim, pra pa pasoja serioze të gripit, janë vetëm 8 raste në hospitalizim të gjithë të tjerët janë në shtëpi, pra nga kjo gjendje nuk duhet as të mendohet mbyllja e qytetit”, tha Ismajli.
Sipas Ismajlit në qytetin e Gjilanit po vazhdojnë të monitorohen lokalet në këtë qytet, dhe se siç thotë ai, qytetarët që nuk po i respektojnë masat anti-covid po gjobitën.
“Inspektorët janë në terren vazhdimisht po monitorohen lokalet, shkollat dhe gjithë ambientet ku kemi frekuentim më të madh të qytetarëve”, shtoi Ismajli.
Ndërkohë, në spitalin e Gjilanit thonë se numri i pacientëve me Covid-19 që po marrin trajtim, është i vogël.
Drejtori i këtij spitali Nisret Hajrullahu theksoi se vetëm tre persona të prekur nga ky virus, janë në gjendje më të rëndë.
“Gjendja është stabile i kemi vetëm 19 vetë me Covid-19 të shtrirë në klinikën Infektive, vetëm tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Jemi të furnizuar mjaftueshëm me oksigjen”, potencoi Hajrullahu.
Si pasojë e virusit korona në Gjilan deri më tani kanë vdekur 48 persona, ndërkaq janë shëruar 1043.