Gjilani me strategji për gratë në biznes

Gjilan | 25 Pri 2017 | 16:53 | Nga

Në Gjilan është mbajtur  punëtori për finalizimin e draft strategjisë për mbështetjen e grave në biznes, e cila është organizuar nga Komuna e Gjilanit, respektivisht drejtoria për Zhvillim Ekonomik, në bashkëpunim me organizatën Qendra Kosovare për Mbeshtetjen e Biznesit dhe mbështetje financiare nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në kuadër të fuqizimit socio-ekonomik të gruas dhe avancim të shoqërisë në Kosovë.

Me këtë rast në fjalën e saj kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se kjo strategji dhe çdo dokument tjetër që ka për qëllim mbështetjen dhe ngritjen e pozitës së femrës, është mbështetur dhe përkrahur nga Kuvendi dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Posiza e femrës në shoqëri është domosdoshmëri e zhvillimit të vendit. Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, një rëndësi të veçantë i ka dhënë gjithmonë pozitës së gruas në shoqëri, vendimmarrje dhe në proceset tjera politike, e veçanërisht mbështetjen e grave në biznes dhe pavarësim në aspektin material por edhe mirëqenies dhe zhvillimit të familjes në përgjithësi. Ky dokument natyrisht që do të ketë edhe mbështetjen e Kuvendit të Komunës, sepse është dokument që bëhet për femrën në biznes dhe normalisht për zhvillim socio-ekonomik të Gjilanit”, ka potencuar ajo duke ofruar mbështetjen e plotë.

Kurse, Nazmi Pllana drejtor ekzekutiv i KCBS-së, ka thënë se Gjilani që nga fillimi ka dëshmuar për gatishmërinë që ka ndaj femrës në përgjithësi dhe konkretisht në përkushtimin që ka në nxjerrjen e kësaj strategjie, si një bazë jashtzakonisht e favorshëm për gratë gjatë të ardhmes në fushën e biznesit.

Në paraqitjen e tyre para të pranishmëve drejtori për Zhvillimin Ekonomik, Agim Zuzaku dhe ai i bujqësisë, Ramiz Ramadani, kanë thënë se strategjia e zhvillimit socio-ekonomik lokal 2017-2021, si pikë rrjedhëse të saj ka edhe strategjinë për gratë ndërmmarëse dhe si rrjedhojë e saj ky është projekti i parë i implementimit të asaj strategjie.

Ata kanë thënë se sot përmes akterëve gjithpërfshirës nga sektori i biznesit të udhëhequr nga femrat gjilanase por edhe institucionet relevante lokale, ne do të marrim imputet dhe së bashku do të përcaktojmë objektivat që duhet ti arrijë kjo strategji gjatë implementimit të saj. Kjo siç kanë thënë dy drejtorët, definitivisht është e një rëndësie të veçantë për bizneset dhe zhvillimin e tyre, e që njëkohësisht ndikon edhe në zhvillimin ekonomik të Komunës së Gjilanit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme