Shend Kelmendi është kthyer në Kosovë vetëm të martën në orën e vona. Futbollisti i Gjilanit ishte i karantinuar në San Marino, pasi doli pozitiv para ndeshje me Tre Pennen, të cilën gjilanasit e fituan me rezultatin 3:1.
Kelmendi nuk ishte lejuar të kthehej në Kosovë me ekipin, për shkak se është dashur të izolohet. Ai kishte rezultuar pozitiv në testin e parë që e kishte bërë në Kosovë me Gjilanin, kurse më pas ishte testuar tri herë dhe në të tri rastet kishte dalë negativ, kanë njoftuar nga klubi gjilanas.
Por në testin e parë në San Marino, Kelmendi doli pozitiv. Kurse në dy testet e bëra në San Marino të hënën dhe të martën, doli negativ dhe e mori të drejtën e largimit nga ky vend. Ai pritet t’i bashkohet shumë shpejt ekipit të Gjilanit.
Ndërkaq futbollisti Jackson Ferreira, që ishte i izoluar pasi ishte në një dhomë me Kelmendit, ndonëse nuk doli pozitiv, i është bashkuar Gjilanit për ndeshjen e së enjtes kundër APOEL-it.
Po ashtu ekipi do të mund të llogarisë edhe në Aziz Keitan.
Gjilanit të mërkurën (sot) do t’i kryejë testet për koronavirus në Kukës të Shqipërisë, pasi UEFA nuk i njeh rezultatet e Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Në testet e IKSHP-së, lojtarët e Gjilanit kanë dalë të gjithë negativë.
Gjilanasit në mesditë do ta zhvillojnë stërvitjen e parë dhe të fundit në stadiumin “Fadil Vokrri”. Stërvitje, por në mbrëmje, do të ketë edhe APOEL-i, që në Kosovë do të arrijë të mërkurën (sot).