Komuna e Gjilanit përmes Kosovo Center for Business Support dhe Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, në kuadër të projektit “Fuqizimi Ekonomik i Gruas, Avancim i Shoqërisë Kosovare” me financimin e zyrës së BE-së, ka themeluar sot “Rrjetin Joformal Avokues të Grave Ndërmarrëse”, si përgjigje për nevojat e grave në këtë komunë.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku, ka thënë se ky rrjet është një adresë e fuqishme e zhvillimit dhe mbështetjes së grave në biznes dhe ndërmarrësi.
“Ky rrjet i grave do të fokusohet në sektorin e zhvillimit dhe fuqizimit ekonomik të grave, në zonat rurale dhe urbane, për të ndihmuar grave të cilat merren me biznes për ti evituar sfidat me të cilat ballafaqohen. Gjithashtu, rrjeti duhet të marrë përsipër identifikimin e pengesave të shumta që ndalojnë gratë për të zbatuar idetë e tyre dhe iniciativat për të themeluar ndërmarrje ose biznese. Angazhimi im si kryesuese do të jetë në mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të grave falë edhe përcaktimit të kryetarit të Komunës, që gratë të kenë vend të merituar në shoqëri në përgjithësi e në veçanti në legjislativ, ekzekutiv në familje dhe në jetën shoqërore në përgjithësi”, ka thënë mes tjerash Bunjaku-Rexhepi.
Kurse drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku, duke falënderuar Qendrën e Kosovës për Mbështetje të Biznesit dhe Ndërmarrësisë, ka thënë se gratë tani e tutje do të jenë më të fuqishme në biznes, çka prej kohësh ka qenë qëllim i Komunës dhe tashmë kemi rritje të bizneseve të regjistruara nga femrat.
“Rrjeti jo-formal do të ofron shërbime dhe mbështetje për gratë që kanë ide apo iniciativa për të filluar një biznes, duke përfshirë edhe ato të cilët kanë bizneset joformale si dhe grave që tashmë kanë krijuar bizneset e tyre dhe kanë nevojë për t’i zhvilluar ato më tej, në bazë të kapaciteteve të tyre dhe synimeve të tyre për tregje të reja. Rrjeti synon mbështetje të bizneseve individuale dhe krijimin e një platforme për krijimin e rrjetëzimit dhe bashkëpunimit të bizneseve të grave dhe aktorëve të tjerë të tregut”, ka thënë mes tjerash drejtori Zuzaku.
Ndërsa, Burim Korça nga organizata implementuese KCBS, tha se ky rrjet ka për qëllim të jetë një urë midis grave afariste dhe institucioneve të Kosovës, për të lehtësuar komunikimin e tyre dhe për të ndikuar në hartimin e politikave që nxisin gratë në fushën e ndërmarrësish në Komunën e Gjilanit. Gjithashtu ka për qëllim të mbështesin dhe inkurajojnë nismat e grave afariste dhe mbështetjen e tyre për të krijuar biznese aktive. E gjithë kjo do të bëhet përmes ofrimit të shërbimeve si trajnime, marketing, këshillime dhe avokimit.