Pasi që Julen Lopetegui u shkarkua mbrëmë nga pozita e trajnerit të Real Madridit, bordi drejtues i klubit ka vendosur ta emërojë Santiago Solarin, trajner i Real Madrid Castillas, përkohësisht në këtë pozitë.
Solari kishte luajtur për pesë sezone në Real Madrid, nga viti 2000 deri në vitin 2005, përfshirë këtu edhe pesë sezone së bashku me Zinedine Zidanen gjatë epokës së Galaktikëve. Ai e kishte filluar aksionin për golin me vollej të Zinedine Zidane në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2002. Solari ka luajtur gjithsej 167 ndeshje dhe i ka shënuar 16 gola për madrilenët, transmeton Gazeta Express.
I lindur në Rosario të Argjentinës, Solari e filloi karrierën e tij në River Plate, me të cilët e fitoi Kupën Libertadores në vitin 1996. Në vitin 1999, ai u transferua në Ateltico Madrid, por pasi që ranë nga La Liga, ai iu bashkua menjëherë rivalëve të qytetit, Real Madridit.
Edhe babai i Santiagos, Eduardo Solari, kishte qenë futbollist profesionist në Argjentinë, si dhe dy vëllezërit dhe një i afërm tjetër i tij. Xhaxhai i tij, Jorge Solari, kishte luajtur në Meksikë dhe ishte bërë i njohur me nofkën “Indiani”, që ia kishte dhënë më vonë edhe Santiagos nofkën “Indiani i Vogël”.
Në vitin 2002, Solari mori edhe një trofe tjetër: lojtarin më seksi të vitit, që iu dha atij nga abonuesit e medias spanjolle Canal+. Ai e kishte pranuar këtë çmim duke thënë: “I falënderoj njerëzit që më votuan, por jam i sigurt se ky votim është mashtrim. Do ta shohim nëse do të mund të gjej karrierë në industrinë e filmit pasi të largohen nga futbolli”.
Megjithatë, Solari vendosi ta vazhdonte karrierën e tij në futboll edhe pas përfundimit të karrierës si futbollist. Ai u bë trajner i ekipit të të rinjve të Real Madrid Castillas, klubit B të ekipit. Ai me Castillan përfundoi në vendin e 11 dhe të 8 në Segunda B, nivelin e tretë të futbollin në Spanjë.