Gjoshi i PDK-së i përgjigjet presidentes: Ju nuk keni shpenzuar sepse jeni e izoluar nga bota

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 22:12 | Nga Ekonomia Online

Sekretari për organizim dhe zgjedhje në PDK, Betim Gjoshi, i është përgjigjur presidentes Vjosa Osmani, e cila reagoi sot ndaj kritikave për kursimet që ajo dhe kabineti i saj thotë se i ka bërë gjatë një viti pune.

Betim Gjoshi, në një postim në Facebook, ka shkruar se Presidentja e shtetit nuk është kursimtare, por ajo është pothuajse tërësisht e izoluar nga bota.

Postimi i plotë:

Një presidente që e lejon bashkëshortin e saj t’i kërkojë nga MPJ 396€ si shpenzime të tij pas infektimit me COVID-19, po tenton ta paraqesë vetën se është kursimtare.

Presidentja shtetit nuk është kursimtare, ajo është pothuajse tërësisht e izoluar nga bota.

Sot, vetëm disa presidentë nëpër botë mund të mburren se shpenzimet e udhëtimeve i kanë minimale. Kjo është fatkeqësi dhe jo një çështje kursimi, sepse nuk udhëtojnë për askund dhe nuk i pret askush. Këtu e gjen veten presidentja Osmani.

Takimet e Presidentëve paraardhës me Presidentët e shteteve më të fuqishme të botës, zonja Osmani nuk mund t’i shohë as në ëndrrat e saj më të mira.

Fakti se zonja Osmani dhe i gjithë kabineti i saj merren me reagime ndaj çdo personi që shkruan në rrjete sociale, tregon për batallëkun që e ka kapluar Zyren e Presidentes. Nuk bëhet fjalë se aty punohet për njohje të reja të shtetit të Kosovës apo për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Së shpejti do të bëhet një vit që nga dita kur jeni zgjedhur nga Kuvendi për Presidente të Republikës dhe gjatë kësaj kohë ju nuk keni shënuar asnjë rezultat të vetëm në politikën e jashtme, e në politikën e brendshme ju vazhdoni ta luani rolin e noteres së Kurtit.

Të ngjashme