Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për “paaftësi” lidhur me reduktimet me rrymë.
Gjoshi ka thënë se Qeveria ka dërguar në bord të KEK-ut “një grup politik të paaftësh”.
“Në pikë të verës, kur temperatura shkon deri në 37-38°C, Kosova po përballet me reduktime për shkak të paaftësisë së Qeverisë, e cila ka dërguar atje në Bordin e KEK-ut gjithashtu një grup politik të paaftësh”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai thotë se reduktimet nuk janë si pasojë e mungesës së rrymës në tregjet ndërkombëtare, as nuk kanë lidhje me luftën në Ukrainë.
“Nëse kjo Qeveri në pikë të verës nuk arrin të sigurojë energji për konsumin ditor minimal, mund ta marrim me mend se çka mund të na presë në dimër. Kjo Qeveri e të Paaftëve një popull e mori në qafë”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Në pikë të verës, kur temperatura shkon deri në 37-38°C, Kosova po përballet me reduktime për shkak të paaftësisë së Qeverisë, e cila ka dërguar atje në Bordin e KEK-ut gjithashtu një grup politik të paaftësh.
Reduktimet e tanishme, 6:2, nuk vijnë si rezultat i mungesës së rrymës në tregjet ndërkombëtare, por për shkak të mungesës së prodhimit të rrymës në Kosovë. Kosova ka kapacitet të prodhojë deri në 900 Megawatt, por ju po prodhoni shumë më pak. Nuk po arrijnë t’i përmbushin nevojat ditore as kur konsumi në këto ditë të nxehta vere është minimal.
Reduktimet 6:2 nuk kanë lidhje me luftën në Ukrainë. Nuk ka reduktime pse nuk po arrijnë të gjejnë rrymë në tregjet ndërkombëtare, por sepse nuk po arrijnë të prodhojnë as sa është kapaciteti i termocentraleve të Kosovës.
Nëse kjo Qeveri në pikë të verës nuk arrin të sigurojë energji për konsumin ditor minimal, mund ta marrim me mend se çka mund të na presë në dimër.
Kjo Qeveri e të Paaftëve një popull e mori në qafë!