Gjykata e Apelit në Prishtinë, ka njoftuar se ia ka vërtetuar dënimin më burgim të përjetshëm të akuzuarit Nazer Pajazitaj, i cili u shpall fajtor muaj më parë, për veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.4. e Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas një njoftimi, Apeli gjeti se ankesa e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 23.04.209, është e pa bazuar në ligj.
“Kolegji profesional i kësaj gjykate, vlerësoj se aktgjykimi i shkallës së parë, nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë si dhe nuk ka shkelje të ligjit penal. Sa i përket vendimit mbi dënim, Gjykata e Apelit konstatoi se meqenëse në veprimet e të akuzuarit qëndrojnë rrethana posaçërisht rënduese, ashtu sikurse ka vlerësuar edhe gjykata e shkalles se parë, dënimi me burgim të përjetshëm është në harmoni më rrezikshmërinë shoqërore të kësaj vepre dhe shkallen e përgjegjësisë penale të akuzuarit, dhe më këtë dënim do të arrihet qëllimi i ndëshkimit, sikur parasheh neni 44 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit në Prishtinë.
Ndryshe, Naser Pajazitaj është akuzuar se ka vrarë kushërirën e tij, 22 vjeçaren Donjeta Pajazitaj, në bjeshkët e Strellcit.