Gjykata e Apelit ka mbajtur sot seancën e kolegjit për shqyrtimin e vendimit dënues për ish kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Në një njoftim për media Apeli thotë, se kjo gjykatë është e përkushtuar “në zgjidhjen në afat sa më të arsyeshëm të lëndëve kundër korrupsionit zyrtarë”. Duke treguar më tej se vendimi i Apelit ndaj Enver Hasanit, dhe dy të akuzuarit e tjerë në lëndën ndaj tij – Albert Rakipit dhe Hakif Veliut – do të merret shumë shpejtë.
“Të tre akuzohen për veprën penale mashtrim në detyrë, nga neni 341 paragrafi 3 i Kodit Penal të Kosovës. Edhe për këtë rast, kolegji gjyqësor pritet të merr vendim shumë shpejtë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Enver Hasani është dënuar në shtatorin e vitit të kaluar me 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikim nga Gjykata Themelore në Prishtinë në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për universitetin e Prishtinës.
Gjykata i shpalli fajtorë edhe dy të akuzuarit tjerë në këtë rast, Albert Rakipit e Hakif Veliut. Këta dy janë dënuar me nga gjashtë muaj burg, masë e cila u zëvendësohet me gjobë prej 10 mijë euro.
Gjithashtu, tre të akuzuarit detyrohen nga gjykata e shkallës së parë që në një mënyrë “solidare” t’ia kompensojnë Universitetit të Prishtinës një shumë prej 70 mijë euro.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Hakif Veliu si shef i prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare – ISN, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë në bashkëkryerje.
Gjykata Themelore në Prishtinë i dënoi ata sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale e cila thotë se të akuzuarit veprën penale e kishin kryer lidhur me realizimin e kontratës për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.