Dy ditë më parë banorja e “It’s my home” Teuta Llumnica u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj pjesëmarrësve të tjerë të kësaj shtëpie. Por, gjatë transportit e njëjta ka sulmuar edhe një zyrtar policor, ka njoftuar policia. Ndaj saj, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.
Por, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, konfirmoi për Gazetën Express se në seancën dëgjimore është kërkuar që të njëjtës t’i caktohet masa për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Gashi konfirmon se Gjykata Themelore në Prishtinë “ia ka caktuar të dyshuarës masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar në afërsi prej 50 metrave në hapësirat publike, në kohëzgjatje prej një muaji”.
“Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, të pandehurës T.Ll do t’i zëvendësohet kjo masë, me masën e paraburgimit konform nenit 177 paragrafi 5 të KPPRK-së”, theksoi ajo.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës T.Ll, e ndryshuar në seancë dëgjimore me kërkesë për caktimin e masës së Ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, për shkak të veprave penale Sulmi nga neni 184 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar nga neni 402 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Gashi.