Gjykata e Kanadasë urdhëron t’i jepet fund protestës, por protestuesit s’ndalen

Prishtinë | 12 Shk 2022 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Protestuesit janë ende duke e bllokuar vendkalimin kryesor në kufirin e Kanadasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht një vendimi të gjykatës që i urdhëron ata të largohen.

Vendimi hyri në fuqi në orën 19:00, sipas kohës lokale, të premten për t’i dhënë fund protestës disaditore.

Kamionistët po bllokojnë “Urën e Ambasadorit” që është një lidhje jetike tregtare midis Ëindsor dhe Ontario me Detroit dhe Michigan.

Protestat e kamionistëve kundër kufizimeve të COVID-19 po vazhdojnë edhe në pikat e tjera kufitare dhe në kryeqytetin Otavë.

Lënda u dorëzua në gjykatë nga qyteti i Windsor dhe shoqata e prodhuesve të pjesëve për automobila, të cilat argumentuan se po humbnin deri në 50 milionë dollarë në ditë për shkak të bllokadës.

Pas vendimit të gjykatës, Policia e Windsorit lëshoi një deklaratë për “t’ia bërë të qartë protestuesve se është një vepër penale bllokimi i kalimit kufitar”. Policia shtoi se një dënim për këtë vepër mund të çojë në sekuestrimin e automjeteve të tyre dhe ndalimin e hyrjes në ShBA.

Por disa orë më vonë, turma njerëzish duke valëvitur flamujt kanadezë shkelën këtë vendim gjyqësor dhe vazhduan të ‘pushtonin’ urën.

Qindra protestues të tjerë po vazhdojnë të protestojnë në qendër të Otavës, derisa dy pika të tjera kufitare me ShBA-në po bllokohen gjithashtu nga protestuesit kundër detyrimit për vaksinim.

Të premten, kryeministri Justin Trudeau foli me presidentin amerikan Joe Biden për bllokadat kufitare ku diskutuan “sfidat e tyre të përbashkëta në kufi”.

Të ngjashme