Gjykata e lë në arrest shtëpiak Kryeinspektorin e Punës

Prishtinë | 01 Mar 2025 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak kryeinspektorin i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesin e detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku.

Me këtë vendim i pakënaqur ishte avokati i Nikqit, Arianit Koci i cili aludoi se krejt rasti mund të ketë prapavijë politike.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, u sollën me kohë në gjykatë.

Aty do të mbahej seanca dëgjimore lidhur me veprat për të cilat dyshohen, pasi që nga e enjtja gjendeshin në ndalim me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Nikçi, dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”.Ndërkaq Shalaku dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.

Seanca dëgjimore, e cila nisi me 30 minuta vonesë, u mbajt me dyer të mbyllura.

Ndërkaq, vetëm pas 5 orëve gjykata mori vendim për t’i lënë ata në arrest shtëpiak, duke refuzuar kështu kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj tyre.

Por, Arianit Koci, avokat i Hekuran Nikçit, u shpreh i pakënaqur me këtë vendim, për të cilin ka dyshimet e tij.

“Unë nuk dua të spekuloj që ky rast ka konotacion politik, por mundem me thanë se diçka në rregull nuk është. Hetimet kanë fillu diku para 20 ditëve dhe me nguti janë marrë të gjitha këto veprime dhe nuk është analizu një çështje, në thelb është çështje administrative ku palë nuk është fare Hekuran Nikçi, ku është ministria e Financave dhe Këshilli i Pavarur”, ka thënë Arianit Koci, Avokat i Hekuran Nikçit.

Të ngjashme