Gjykata e lë për nesër vendimin për deputetët e VV-së që hodhën gaz në Kuvend

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 17:29 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë thotë ta ketë marrë me vonesë kërkesën nga Prokuroria për paraburgim ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës derisa po bëhej gati votimi për Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.

Zyra për Media e Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka thënë KTV-së se kërkesa ka ardhur në fund të orarit të punës.

Sipas kësaj Zyre, Gjykata nesër do të vendosë për orën e mbajtjes së seancës ku do të shqyrtojë këtë kërkesë të Prokurorisë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, i ka kërkuar Gjykatës Themelore të Prishtinës caktimin e masës së paraburgimit për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët dyshohen se kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Kohën Ditore zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutifu.

Arbërie Nagavci, Drita Millaku, Fitore Pacolli, Liburn Aliu, Valon Ramadani, Salih Zyba dhe Xhelal Sveçla janë deputetët e VV-së të arrestuar të mërkurën në seancën e Kuvendit të Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme