Gjykata e Nju-Jorkut zgjedh 12 juristët, që do të japin vendimin final për Donald Trump

Prishtinë | 19 Pri 2024 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Janë 12 juristë të shtetit të Nju-Jorkut, të cilët do të japin vendimin për gjyqin historik dhe të tejzgjatur ndaj ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ata do të vlerësojnë pafajësinë apo fajësinë e akuzave ndaj Trump, e cila lidhet me pagesën e bërë nga ky i fundit për ish-yllin e filmave për të rritur për heshtjen e saj përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Disa ligjvënës menduan se përzgjedhja e jurisë për gjykimin e Trump mund të zgjaste me disa javë, por gjërat lëvizën shpejt pasi ekipit të ish-presidentit i mbaruan argumentet.

Donald Trump reagoi i indinjuar pas daljes nga gjykata.

“Është një zemërim i jashtëzakonshëm dhe të gjithë janë të indinjuar për këtë proces. Ju keni vrasje që ndodhin pikërisht jashtë Nju-Jorkut dhe askush nuk reagon. Ky është një turp. E gjithë bota po e shikon këtë mashtrim në Nju-Jork. Ju keni një gjyqtar që është shumë i konfliktuar. Joe Biden është një mashtrues. Ai duhet të jetë në gjyq me të gjitha gjërat që ka bërë ai dhe familja e tij”, tha Donald Trump, ish-President i SHBA-së.

Trump, kandidati republikan presidencial në zgjedhjet e 5 nëntorit, përballet me çështje penale në Uashington, Xhorxhia dhe Florida, por rasti i Nju-Jorkut është i vetmi i sigurt që do të dalë në gjyq këtë vit.

Zyrtarët e përfshirë në ato raste kanë raportuar se kanë marrë kërcënime me vdekje dhe ngacmime pasi janë kritikuar nga Trump.

Trump është deklaruar i pafajshëm në të katër rastet dhe ka thënë se akuzat janë pjesë e një përpjekjeje të gjerë të aleatëve të presidentit demokrat, Joe Biden, për të penguar kandidaturën e tij.

Ekspertët theksojnë se një dënim ndaj Donald Trump nuk do ta pengonte, këtë të fundit, të merrte detyrën.

Të ngjashme