Gjykata ia refuzon kërkesën për arrest shtëpiak gazetares së REL-it, Kurmasheva

Prishtinë | 20 Shk 2024 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme e Republikës Tatarstan të Rusisë mori vendim të martën që gazetarja e Radios Evropa e Lirë (REL), Alsu Kurmasheva, të mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit për akuza të cilat i mohon.

Avokatët e Kurmashevës kishin kërkuar që ajo të zhvendosej në arrest shtëpiak për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, përveç telasheve të tjera.

Gjykatësja Olga Migunova e hodhi poshtë kërkesën, por e shkurtoi paraburgimin e Kurmashevës për një ditë, nga së paku deri më 5 prill në deri së paku më 4 prill.

Kurmasheva mori pjesë në seancë dëgjimore përmes video-lidhjes nga një qendër e paraburgimit.

Kurmasheva, gazetare me bazë në Pragë e REL-it me shtetësi amerikane dhe ruse, është duke u mbajtur në paraburgimin rus prej 18 tetorit nën akuzat për shkeljen e të ashtuquajturit ligji për “agjentët e huaj”.

Megjithëse ajo i ka kaluar rreth katër muaj në paraburgim, Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk e ka shpallur si të jashtëligjshme paraburgosjen e saj, siç ka bërë me qytetarët e tjerë amerikanë të mbajtur në Rusi.

Një vendim i tillë do ta kishte rritur profilin e rastit kundër Kurmashevës, duke cilësuar si të motivuar politikisht. Dy qytetarë të tjerë amerikanë të mbajtur në Rusi – reporteri i Wall Street Journal Evan Gershkovich dhe ish-marinsi amerikan Paul Whelan – janë shpallur si të arrestuar jashtëligjshëm.

Kurmasheva, e cila ka punuar për Shërbimin Tatar-Bashkir të REL-it për rreth 25 vjet, u largua nga kryeqyteti çek në maj të vitit të kaluar për një emergjencë familjare në vendlindjen e vet Tatarstan, njërën prej republikave të shumta të Rusisë.

Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dyja pasaportat dhe telefoni mobil. Pasi priti pesë muaj për vendimin e gjykatës për rastin ndaj saj, Kurmasheva u gjobit me 109 dollarë për shkak se nuk e kishte regjistruar pasaportën e vet amerikane te autoritetet ruse.

Duke mos qenë në gjendje të largohet nga Rusia pa dokumentet e veta të udhëtimit, Kurmasheva u arrestua sërish në tetor dhe këtë herë nën akuzat se nuk ishte regjistruar si “agjente e huaj”. Dy muaj më vonë, ajo u akuzua për shpërndarje të dezinformatave për ushtrinë ruse.

Kurmasheva së fundmi shkroi nga qelia e burgut në qytetin rus, Kazan, se “qëndrimi në burg po bëhet dalëngadalë, por sigurt më i padurueshëm”.

Moska është akuzuar se po i ndalon gazetarët amerikanë për t’i përdorur për këmbimin e tyre me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar, 23 vende e nominuan Kurmashevën për çmimin e UNESCO-s “Guillermo Cano”, për Lirinë Botërore të Shtypit 2024.

I krijuar më 1997, ky është një çmim vjetor që e nderon një person apo një grup njerëzish të cilët japin kontribut të shquar për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit nëpër glob, pavarësisht “rrezikut dhe përndjekjes” me të cilat përballen.

Të ngjashme