Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim lirues ndaj Mexhide Shaqiri, Vjollca Kosumi dhe Hamide Zeqiri.
Gjinekologet e Spitalit Rajonal të Gjilanit, akuzoheshin për veprat penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor e mosdhënie të ndihmës mjekësore që ka rezultuar me vdekjen e pacientes Arbenita Selimi-Spahiu, pas lindjes.
“Të pandehurat M. Sh. dhe H. Z. janë akuzuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit se me datë 03.03.2016 në Spitalin Regjional në Gjilan, me rastin e trajtimit të pacientes, tani e ndjerë A. S., gjatë dhënies së ndihmës mjekësore, me dashje eventuale kanë përdorur mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes dhe nuk i kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore gjatë lindjes, ndërsa e pandehura V. K. si mjeke kujdestare në kundërshtim me detyrat e saj, ka refuzuar dhe nuk i ka ofruar ndihmën mjekësore pacientes”, thuhet në sqarimin e Gjykatës.
Sipas Gjykatës, trupi gjykues pas disa seancave të mbajtura, shqyrtimit të provave, dëgjimin e ekspertizës dhe super ekspertizës, nuk ka arritur të vërtetoj që këto të pandehura kanë kryer veprat penale.
“Të pandehurat M. Sh. dhe H. Z. janë akuzuar për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor nga neni 260 paragrafi 4 e lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ndërsa e akuzuara V. K. është akuzuar për veprën penale “Mos dhënia e ndihmës mjekësore nga neni 261 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, thuhet më tej në komunikatën e Gjykatës.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit, brenda 15 ditësh.