Gjykata e Tiranës ka kthyer prapa padinë e përzgjedhësit të Shqipërisë në futboll, Christian Panucci, ndaj ish-presidentit Bujar Nishani.
Gjyqtarja Anila Karanxha ka thënë se ky vendim është marrë për faktin se padia ku kërkohej nga Nishani dëmshpërblim 100 mijë euro, kishte të meta në formulim.
Gjykata e Tiranës nuk ka bërë të ditura konkretisht se çfarë problematikash janë vërejtur në padinë e Panuccit, por mësohet se gjyqtarja i ka kërkuar palës paditëse që t’i plotësojë brenda afatit ligjor të parashikuar në ligj që është 20 ditë.
Nëse brenda këtij afati nuk plotësohen kërkesat e parashtruara nga gjykata për padinë atëherë automatikisht padia cilësohet e rrëzuar. Mbetet për t’u parë nëse avokatët e Panuccit do të respektojnë afatin ligjor dhe do ta vazhdojnë betejën e nisur me ish-presidentin Bujar Nishani.
Panucci paditi Nishanin pasi pas ndeshjes miqësore të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku Shqipëria u mund 3-0, Nishani është shprehur për trajnerin e kombëtares se: Panucci është një sharlatan që shkatërron edhe atë që ishte ngritur.
Për këtë reagim të ish-presidentit, trajneri i kombëtares Panucci kërkon dëmshpërblim për dëmin moral që i është shkaktuar në publik, shkruan tch.