Gjykata në Pejë dënon E.K. me burgim dhe gjobë për vjedhje të rëndë dhe vjedhje

Prishtinë | 03 Shk 2026 | 17:18 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykimin ndaj të pandehurit E.K., duke e dënuar atë me burgim dhe gjobë për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.

Sipas komunikatës së gjykatës, aktgjykimi është shpallur më 3 shkurt 2026 nga Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, përmes video-lidhjes/video-incizimit.

“Gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës dhe pas unifikimit të dënimeve e ka dënuar me dënim unik me gjobë 800 euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 4 muaj,” thuhet në komunikatë.

Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga data 2 korrik 2025.

Ndërkaq, për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën, pasi Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga ndjekja penale për këto pika.

“Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim,” thuhet tutje në komunikatën e Gjykatës Themelore në Pejë.

Të ngjashme