Gjykata nuk e çon askënd në burg për përdorim dhe mbajtje të armës

Prishtinë | 21 Tet 2017 | 15:51 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë as një ditë burg nuk po u jep njerëzve që janë zënë me armë. Po u shqipton dënime me kusht. Le që nuk dënojnë më dënime maksimal prej pesë vitesh burgim por japin dënime qesharake. Express sjell disa prej vendimeve gjyqësore të publikuar nga Gjykata e ku tregohen për dënimet e buta të gjykatësve në raport me kryerësit e veprave penale.

Në këto tri raste, që personat kanë mbajtur armë pa leje, por edhe i kanë përdorur ato, gjykata u ka shqiptuar dënim me kusht. Dy në Gadime të Ulët, të cilët pos posedimit të armës edhe kishin përdorur atë, morën dënim me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Një tjetër rast në Gjilan, gjithashtu mori dënim me kusht për shkak se kishte në pronësi një kallashnikov.

Në këto aktgjykime të publikuara, gjen se në asnjërin rast gjykata nuk e ka dënuar me burg asnjë të pandehur që ka poseduar armëmbajtje pa leje, e që disa prej tyre edhe e kanë përdorur atë, duke vepruar në kundërshtim me nenet 374 dhe 375 të Kodit Penal.

Më 2012’ën, i pandehuri I.T kishte shtënë me armë zjarri disa herë në ajër në afërsi të lokalit “Rinori”. Aty, aktgjykimi shpjegon se ai e ka ndalë makinën dhe ka shtënë me armë të cilën e mbante në mënyrë të paautorizuar. I njëjti, më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjykata megjithatë e ka shpallur fajtorë, por pos që ka mbajtur armë pa leje, ai edhe e ka përdorur atë. E krejt çka i cakton gjykata të pandehurit është dënimi me kusht, i cili thotë:

“Ashtu që i përcakton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) muajsh i cili nuk do të ekzekutohet, nëse brenda afatit prej 1 (një) viti nuk do të kryejë vepër të re penale…”.

Kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Gadime e Ulët në prill të 2012’ës. Arma të cilën e përdori I.T është e tipit FB Radom VIS MOD 35 PAT, e kalibrit 9mm dhe është konfiskuar nga policia e Kosovës.

Ndaj tij, gjykata vendosi vetëm shpenzimet e procedurës penale me shumë 50 euro, në afat prej 15 ditësh.

Ndërsa, në vitin 2013’ë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur ta shpallë fajtor Sh.T, pasi kishte poseduar armë pa leje, mirëpo edhe kishte përdorur njërën nga armët. Edhe ndaj tij nuk u shqiptua dënimi me burg, por vetëm dënim me kusht.

Edhe pse Sh.T nga Gadimja e Ulët, kishte shtënë me armë automatike rafal disa herë në ajër gjatë një ahengu familjar me armë automatike AK-47, ai nuk u dënua me burg, por me kusht. I njëjti ka poseduar edhe një revole të kalibrit 6mm, prodhim “Zastava”.

Kjo ngjarje ka ndodhur në korrik të 2013’ës, kur Sh.T festoi fejesën e djalit të vëllait të tij, duke shtënë me armë automatike në ajër. Kjo armë është konfiskuar më pas nga policia.

Të pandehurit iu gjetën: arma automatike AK-47, një karikator dhe dy fishekë të kalibrit 6mm, si dhe një karikator dhe 30 fishekë të kalibrit 7.62mm.

E për këtë vepër penale, Gjykata i shqiptoi dënim me kusht, në kohëzgjatje prej 1 viti e 3 muaj dhe i dha 2 vjet afat që të mos kryej vepër tjetër penale.

Krejt çka u mor masë ndaj të pandehurit ishte dënimi plotësues, ku thuhet se i kishin konfiskuar revolen Zastava, dy fishekë, një karikator, një pushkë automatike, 30 fishekë 7.62mm dhe një karikator.

 

Në vitin 2016, K.B, baba i gjashtë fëmijëve, gjatë një pune operative në terren të policisë së Kosovë, ia kishin gjetur dhe konfiskuar armën e tipit “Kallashnikov”. Operacioni u zhvillua në një fshat të Gjilanit

Këtë kallashnikov të prodhimit kinez, kalibër 7.62mm, një karikator dhe një fishek të kalibrit 7.62mm, policia ia ka konfiskuar, pasi K.B i ka mbajtur në pronësi në kundërshtim me ligjin dhe me këtë ka kryer vepër penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor, mirëpo i kishte shqiptuar dënim me kusht.

“Dënimin me kusht, ashtu që i vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej një (1) viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale…”, thuhet në aktgjykim.

I njëjti vetëm është përcaktuar t’i paguaj shpenzimet e procedurës penale, e cila ishte 30 euro.

Edhe pse neni 374 i Kodit Penal të Kosovës thotë se kushdo që mbanë në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin, dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose burgim deri në pesë vjet, ky nen specifikon se nëse personi mbanë katër armë ose më shumë se 400 fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

Ekziston edhe neni për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm (Neni 375) i cili veçon se kushdo që përdorë armë apo materie plasëse, dënohet me burgim prej një vit deri në 8 vjet.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme