Me urgjencë po planifikon të thërrasë një seancë Gjykata Themelore e Prishtinës, ku pritet të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë Speciale, për ndërprerjen e pagesave për veteranët e rrejshëm, shkruan sot Koha Ditore.
Seanca, siç ka mësuar “Koha Ditore”, pritet që të thirret këto ditë nga gjyqtarja Nushe Kuka- Mekaj, e cila është caktuar për të gjykuar këtë lëndë. Tanimë, aktakuza u është shpërndarë të 12 të pandehurve.
Këtë muaj Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj ish-anëtarëve të Komisionit për verifikim të veteranëve të luftës, në rastin e njohur si “veteranët e rrejshëm”.
U ngrit një muaj pasi dha dorëheqje ish-prokurori Elez Blakaj, i cili ka punuar për më shumë se një vit në të dhe e ka dorëzuar pak para se të dorëhiqej. Aktakuza nuk është dorëzuar në gjykatë, pasi që sipas Prokurorisë, Blakaj nuk e ka përfunduar atë.