Gjykata shpall fajtor katër të akuzuarit për terrorizëm

Prishtinë | 18 Dhj 2023 | 10:47 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë – Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shpalli fajtor Ardijan Gjurajn, Ergim Sylën, Nehrudin Skenderin dhe Mentor Bellaqën, të cilët akuzoheshin për terrorizëm.

Shpallja u bë të hënën, nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta tha se gjykata gjeti fajtor Gjurajn, Sylën dhe Bellaqën për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, të akuzuarin Syla dhe Gjuraj i gjeti fajtor se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kurse, të akuzuarin Skenderi e gjeti fajtor për veprën penale “Lehtësimi dhe Financimi në kryerjen e terrorizmit”.

Ndërkaq, të akuzuarin Bellaqa e gjeti fajtor për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të akuzuarin Gjuraj, për shkak se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Mos lajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, e ka liroi nga kjo akuzë.

Gjithashtu edhe i akuzuari Skenderi u lirua nga akuza për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, që sipas gjykatëses Musliu-Selimaj gjykata konsideron se veprimet e tij janë përmbushur në veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”.

Pasi që të njëjtit u shpallën fajtorë, gjykata bëri të ditur se për caktimin e dënimit ka caktuar seancë të veçantë, e cila do të mbahet më 25 janar 2024.

“Ku fillimisht nga palët kërkon që në atë seancë do t’i paraqesin të gjitha rrethanat lehtësuese apo renduese të cilat do të ndikojnë në individualizimin e dënimeve si dhe do të kërkoj raport nga shërbimi sprovues, një raport para ndëshkimor dhe pas analizimit të të gjithave gjykata do të vendos edhe më caktimin e dënimit”, tha gjykatësja Musliu-Selimaj.

Ajo tha se të njëjtëve ju vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe Shkodran Krasniqi, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materive plasëse”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 23 dhjetor 2022, ka përpiluar aktakuzën kundër Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi, të cilët akuzohen se kanë përgatitur akte terroriste në Kosovë.

Të ngjashme