Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, pritet të nis punën nga janari i vitit të ardhshëm.
Selia e kësaj Gjykate do të jetë në Hagë, ku Mbretëria e Holandës ka ratifikuar Marrëveshjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Kjo marrëveshje siguron bazat ligjore të Dhomave të Specializuara të Kosovës për të kryer procedurat në Holandë dhe do të hyjë në fuqi më 1 janar 2017.
Ndonëse marrëveshja për themelimin e kësaj gjykate është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, në instanca të ndryshme politike janë ngre vazhdimisht dyshime nëse një mekanizëm i tillë do të vendos gjykime të drejta dhe të pavarura nga politika.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, beson se Dhomat e Veçanta garantojnë procese të drejta sipas standardeve më të larta.
“Mendoj që askush prej nesh nuk duhet të ketë dyshime në punën që do ta bëjnë Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria. Mendoj se do të kenë standarde të larta edhe të mbrojtjes së të drejtave të akuzuarve e në kuadër të krejt kësaj gjykate ekziston edhe institucioni i Ombudspresonit”, ka thënë Blakaj.
Një çështje që gjithmonë ka nxitur debat dhe komente kur janë në pyetje gjykimet në rastet e krimeve të luftës, është edhe mbrojtja e dëshmitarëve. Por, kësaj radhe, Blakaj thotë se askush nga dëshmitarët nuk është zbuluar ende, çka tregon seriozitetin e kësaj Gjykate.
“Kjo pjesë nuk është shumë transparente dhe ne nuk dimë se cilat janë ato mekanizma për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe vet fakti që nuk e dimë mendoj që deri më tani kanë vepruar mirë dhe e kanë mbrojtur identitetin e dëshmitarëve të mundshëm dhe kjo e tregon seriozitetin e Prokurorisë dhe Dhomave të Specializuara”, ka theksuar Blakaj.
Gjykata Speciale pritet t’i trajtojë disa raste të pretenduara si krime lufte nga raporti i senatorit zviceran Dick Marty, i cili më pas ishte miratuar si dokument nga Këshilli i Evropës.
Kryesisht aty flitet për krimet që supozohet se i kanë kryer ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj popullatës civile serbe.
Lidhur me këtë, analisti Imer Mushkolaj, pret që me këto gjykime të mbyllet një kapitull i gjykimeve për krimet e supozuara, në mënyrë që edhe lufta e UÇK-së të heq nga vetja një barrë që i është veshur ndër vite.
“Pas përvojave të dështuara të UNMIK-ut, të EULEX-it, por edhe të përpjekjeve të pakta të drejtësisë kosovare, është Gjykata Speciale ajo që do të duhej ta përmbyllë këtë çark. Ndonëse dyshoj, për shkak se luftërat lënë pasoja të mëdha, pra edhe në këtë aspektin e ndjekjes dhe gjykimit të krimeve të pretenduara të cilësdo palë, në këtë rast po flasim për krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së”, ka thënë Mushkolaj.
Për faktin që lufta ka përfunduar në qershorin e vitit 1999, Mushkolaj thotë se duhet pasur parasysh që në periudhën aktuale do të jetë më vështirë të zhvillohen hetime, ndonëse për shumë raste lëndët i kanë iniciuar edhe UNMIK-u dhe EULEX-i.
Nga ana tjetër, Bekim Blakaj thotë se Gjykata Speciale do të merret me trajtimin e vetëm disa krimeve të pretenduara dhe se ndriçimin e shumë rasteve të tjera do të duhej bërë nga organet vendore të drejtësisë.
Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Speciale, David Schwendiman, kohë më parë ka qëndruar në Prishtinë dhe Beograd. Ai ka thënë se do të zhvillojë hetimet e tij “pa frikë dhe pa asnjë favor”.
Schwendiman ka theksuar se “është i vetëdijshëm për ndjeshmërinë politike të asaj çfarë po bën, por në punën e tij do të udhëhiqet vetëm nga faktet dhe nga ligji”.
Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000. Ajo do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës, ndonëse prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtarë. (REL)