Gjykata Speciale ua refuzon aplikimet 7 personave që u paraqitën si viktima të UÇK-së

Prishtinë | 24 Pri 2021 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Shtatë personave që u paraqitën në Speciale si viktima të UÇK-së u janë refuzuar aplikacionet nga gjyqtari i Procedurës Paraprake. Të njëjtit kishin aplikuar në Zyrën për Pjesëmarrjen e Viktimave në rastin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit. Përveç tyre gjyqtari paraprak ua ka pranuar aplikacionet nëntë personave të tjerë.

Shtatë personave që në Gjykatën Speciale u paraqitën si viktima direkte dhe indirekte të UÇK-së, u janë refuzuar aplikacionet. Gjykatësi francez i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou ka lëshuar një sër urdhërash që ndërlidhen me aplikacionet  16 personave aplikues në Zyrën për Pjesëmarrjen e Viktimave që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale, shkruan lajmi.net.

Kësisoj,  janë refuzuar aplikacionet e personave me pseudonimet: Aplikanti 06/06, Aplikanti 08/06,  Aplikanti 09/06, Aplikanti 10/06, Aplikanti 11/06, Aplikanti 13/06 dhe Aplikanti  14/06. Të njëjtat aplikacione, nga gjyqtari paraprak janë cilësuar si “të papranueshme” për arsye të përcaktuara ligjore të cilat Guillou i ka cekur në vendimin e tij.

Nga ajo që ka parë lajmi.net në specifikat e aplikantëve  të cilat i kishte nënvizuar Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave, shihet se katër prej shtatë personave që u janë refuzuar aplikacionet janë shqiptarë.

Aplikanti Viktima-06/06 të cilit i është refuzuar aplikimi është i përkatësisë etnike shqiptare dhe pretendon se është qëlluar me armë zjarri  më 1997 nga UÇK-ja duke pësuar dëmtim fizik dhe mendor si pasojë. Aplikanti është aplikanti i vetëm në këtë raport që nuk ishte rekomanduar për pranim si viktima pjesëmarrëse (Grupi B).

Aplikantët Viktima-09/06, Viktima-10/06 dhe Viktima-11/06 janë shqiptarë  dhe pretendojnë të jenë viktima indirekte, anëtarë të së njëjtës familje, të cilëve burri / babai u ndalua nga UÇK-ja brenda periudhës së padisë në territor të Kosovës. Familja u informua për arrestimin e tij, por rrethanat e tij, zhdukja dhe fati i tij mbetet i panjohur. Ankuesit pretendojnë se kanë vuajtur dëmtimin mendor. Ata nuk kishin paraqitur ndonjë dokumentacion mbështetës për dëmin.

Aplikantët e tjerë të cilëve u janë refuzuar aplikimet i përkasin  komunitetit serb dhe kanë pretendime të ndryshme mbi dëmin që ata thonë se kanë pësuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Përveç të lartëcekurve, gjyqtari i Procedurës Paraprake ka kërkuar informacione shtesë për aplikantin me pseudonimin “Aplikanti 12/06”. Në të njëjtën kohë, deri në marrjen e informacioneve shtesë ai ka shtyer vendimin për personin në fjalë, shkruan tutje lajmi.net.

Sidoqoftë, nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake janë pranuar nëntë aplikacione tjera: Aplikanti 01/06, 02/06, 03/06, 04/06, 07/06, 16/06, 17/06, 18/06 dhe 19/06.

Për të njëjtit, gjyqtari i Procedurës Paraprake ka kërkuar masa mbrojtëse, të cilat përfshijnë anonimitetin e tyre të plotë nga publiku dhe palët e përfshira në proces. Aplikacionet e tyre do të qëndrojnë në formë strikte konfidenciale dhe “ex parte”.  Gjithashtu të njëjtit janë mbledhur në një grup nga gjyqtari paraprak.

Ndryshe, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave në Gjykim, ka bërë ndarjen e veçorive të aplikantëve, duke dhënë detaje edhe për shtetet ku ata jetojnë.

Në këtë formë, është bërë e ditur se nëntë nga aplikantët jetojnë në Serbi, tre në diasporë(në vende të ndryshme të botës), teksa pesë jetojnë në Kosovë, prej të cilëve një është folës i gjuhës serbe.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Kadri Veseli janë që nga 5 nëntori në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Kundër tyre rëndojnë 10 akuza që ndërlidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ata janë ende në pritje të një vendimi nga Dhomat e Posaçme të Apelit që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale në lidhje me kërkesën e parashtruar për lirim nga paraburgimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme