Paneli i gjykatësve të Gjykatës Supreme ka miratuar ankesën e Vetëvendosjes kundër vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që çonte në rinumërim kutitë e votimit në Prishtinë.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, ka marrë vendim që të pranohet si e bazuar ankesa e subjektit politik Vetëvendosje, dhe të ndryshohet vendimi i PZAP-së, ashtu që refuzohet ankesa e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me seli në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që të rinumërohen-rivlerësohen fletëvotimet e pavlefshme, fletëvotimet e përdorura nga votuesit, por të paplotësuara (të zbrazëta), të cilat kanë qenë në kutinë e votimit dhe të rinumërohen të gjitha fletëvotimet e rregullta në vendvotime në Prishtinë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Fillimisht Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vendosi që të gjitha qendrat e votimit në Prishtinë dhe Prizren të shkonin në rinumërim.
Bazuar në këtë vendim u ndalua procesi i numërimit të kutive me kusht, me postë dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.
Këto vota do të vendosin fituesin mes kandidatëve të Vetëvendosjes dhe LDK-së në Prishtinë.