Gjykata Supreme vendos kundër planit të Trumpit për t’i dhënë fund programit DACA

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme amerikane ka refuzuar përpjekjen e presidentit, Donald Trump që t’i japë fund programit që mbron imigrarantët pa dokumente, që kanë ardhur në SHBA kur kanë qenë minoren.

Në vendimin e gjykatës për rreth 650,00 imigrantë të rinj – të njohur si ‘Ëndërrimtarët’ – thuhet se ata mund të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në SHBA pa pasur frikë nga deportimi. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës Supreme, këtyre të rinjve nuk iu garantohet se do të mund të përfitojnë shtetësinë amerikane.

Presidenti Trump menjëherë ka reaguar pas këtij vendimi, duke thënë se gjykata ka lëshuar “vendime të tmerrshme” kundër Republikanëve dhe konservatorëve.

Në shtatorin e vitit 2017, administrata Trump deklaroi se do të kërkonte që t’i jepte fund programit të ashtuquajtur DACA, që mbron të rinjtë imigrantë, që janë pa dokumente. Ky ishte edhe njëri ndër premtimet e Trumpit gjatë fushatës zgjedhore.

Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama kishte prezantuar skemën DACA përmes një urdhri ekzekutiv më 2012, pasi Kongresi amerikan për vite me radhë kishte dështuar që të miratonte një reformë mbi imigrimin.

Administrata e Trumpit dhe Republikanët kanë argumentuar se ky urdhër ekzekutiv është i paligjshëm dhe se Kongresi duhet të miratojë një ligj për të formalizuar reformën për imigrimin.

Megjithatë, në vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA-së thuhet se administrata Trump nuk kishte vepruar në mënyrë të duhur, kur ka tentuar që t’i japë fund këtij programi.

Të ngjashme