Gjykata Themelore në Pejë po ballafaqohet me mungesë të buxhetit dhe stafit profesional

Prishtinë | 21 Tet 2016 | 11:37 | Nga

Në vazhdën e takimeve të grupit punues të ngarkuar për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjive nr.03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-033 dhe 05/L-094 dhe mbikëqyrjen e Ligjit nr. 03/L për Këshillin Prokurorial të Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-035 të kryesuar nga deputeti Armend Zemaj dhe Selvije Halimi anëtare, sot vizituan Gjykatën Themelore të Pejës, dhe biseduan me gjyqtarin e krimeve të rënda, Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të këtij takimi, anëtarët e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës, thanë së përveç mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjeve, kanë synim krijimin e një raporti të ri me institucionet e sistemit të drejtësisë dhe që do t’i shërbente ndërtimit të një sistemi të drejtësisë sa më funksional dhe profesional.

Më pas, anëtarët kanë shprehur interesimin e tyre lidhur me punën e Gjykatës Themelore të Pejës, departamentet tjera të Gjykatës dhe proceset që janë zhvilluar dhe pritet të zhvillohen, që i shërbejnë zbatueshmërisë së Ligjit të KGJK-së, me theks të veçantë transferin e gjyqtarëve.

Në këtë takim u diskutua për sfidat në zbatimin e ligjit në përgjithësi dhe nevoja për adresimin e problemeve që aktualisht ka sistemi i drejtësisë. Mungesa e buxhetit ishte shqetësimi kryesor që u ngrit nga përfaqësuesi Gjykatës Themelore të Pejës z. Kreshnik Radoniqi.

Po ashtu gjyqtari Radoniqi potencoi se me këtë buxhet që ka gjykata është vështirë i përballueshëm adresimi i sfidave ndaj është e nevojshme rritja e numrit të gjyqtarëve dhe e stafit profesional. Ndërkaq gjyqtari Radoniqi kishte qenë vet i transferuar për një periudhë gjashtë mujore në Gjykatën Themelore të Prishtinës duke pohuar se për transferin e gjyqtarëve duhet të bëhet një zgjidhje e përhershme sepse, shkakton problem për ngecjen e lëndëve.

Më tej , u diskutua edhe për decentralizimin e çështjeve të financave dhe prokurimit që është bërë nga Këshilli Gjyqësor, të cilat janë lënë në kompetencë të kryetarëve të gjykatave, gjë për të cilën  Radoniqi tha se është ngarkesë teknike që nuk i takon kryetarëve të gjykatave.

Të ngjashme