Gjykata vendos që t’u lexohet aktakuza të akuzuarave në rastin “veteranët”, refuzojnë mbrojtësit

Prishtinë | 14 Mar 2019 | 12:37 | Nga Alban Begolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në procesin gjyqësor për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së përkundër kundërshtimit të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre u vendos që të lexohet aktakuza, raporton Ekonomia Online.

Gjyqtarja Nushe Mekaj ka refuzuar kërkesat e avokatëve mbrojtës që të mos lexohet aktakuza. Sipas saj për shkak se Kodi i Procedurës Penale e parasheh parimin e publicitetit aktakuza do të lexohet sot para medieve dhe publikut.

 Ajo ka paralajmëruar që seanca do të mbyllet vetëm kur të lexohet shtojca e aktakuzës.

“Në seancën e shqyrtimit fillestar lexohet aktakuza, ashtu që do të lexohet e tëra dhe për këtë Gjykata bie aktvendim: Të lexohet aktakuza së bashku me shtojcën dhe në pjesën ku lexohet shtojca do të përjashtohet i gjithë publiku përfshirë edhe mediet përpos monitoruesve të EULEX-it dhe OSBE-së për shkak të mbrojtjes së të dhënave të cekura në shtojcë”, deklaroi gjykatësja Nushe Mekaj.

Avokati Ramë Gashi, mbrojtës i të akuzuarit Agim Çeku ka thënë se nuk ka nevojë të lexohet aktakuza.

Sipas tij kërkesa është e jashtëligjshme me faktin që vjen nga Prokuroria Speciale. Kjo pasi që sipas Gashit një kërkesë e tillë do të duhej të vinte nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për shkak që nëse ka dëme financiare ajo është palë e dëmtuar e jo Prokuroria e Shtetit.

 Argumenti i dytë i Gashit është që 19 mijë e 500 veteranet të cilëve po kërkohet të ju pezullohet pagesa nuk janë persona të dënuar e as nuk ka informata që të njëjtit janë duke u hetuar, pasi që pjesë e aktakuzës si të akuzuar janë anëtarët e komisionit, e jo përfituesit.

“Është e kundërligjshme të kërkosh masë të sigurisë ndaj qytetarëve kundër të cilëve kërkohet masa, prokurori nuk ka asnjë procedurë të përfunduar, nuk ka asnjë akt përfundimtar lidhur me ndonjë akuzë dhe asnjë vendim të anuluar në asnjë procedurë ligjore të ligjeve në fuqi për asnjë nga këta persona”, tha ai, raporton EO.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci tha se nëse dikush ka interes që ky gjykim me përfundu sa më shpejtë janë vetë të akuzuarit.

“Deri më tani, nuk e kemi asnjë vendim gjyqësor se ndonjëri prej 19 mijë e 500 personave që merr pension e ka marrë këtë në mënyrë të kundërligjshme. Prokuroria e përfaqëson shtetin e shteti del skajshmërisht jo serioz. Kundërshtoj propozimin e prokurorisë “, ka thënë Koci.

Të ngjashme