Gjykatës së Apelit i mbeten 150 lëndë të natyrës urgjente nga viti 2013

Prishtinë | 05 Kor 2017 | 11:30 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala ka thënë se gjykata që ai drejton ka mungesë të gjyqtarëve dhe se kjo po u shkakton vonesa në shqyrtim të lëndëve, sidomos të natyrës civile, raporton Ekonomia Online.

Aktualisht në Gjykatën e Apelit punojnë 37 gjyqtarë, por kryetari Shala thotë se kanë nevojë edhe për 18 gjyqtarë të tjerë.

Në fillim të këtij muaji presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar katër gjyqtarë të rinj të kësaj gjykate.

“Kemi folur me USAID-in dhe edhe ata janë të mendimit që në këtë gjykatë kemi nevojë për 55 gjyqtar. Momentalisht 37 gjyqtar punojnë në Gjykatën e Apelit. 16 gjyqtar janë që merren me lëmi civile. Nga tre korriku presidenti ka dekretuar 4 gjyqtar dhe është e vërtetë që kemi mangësi të gjyqtarëve, kemi problem kur kemi të bëjmë me lëndët civile. Kemi rekrutuar 6 zyrtar ligjor të cilët kanë filluar punën në maj. Ka mungesë të madhe të zyrtarëve ligjor. Lëndët që mbesin peng për shkak të mungesës së gjyqtarëve”, tha Shala, raporton EO.

Sipas Shalës, Gjykata e Apelit ka në punë 150 lëndë të trashëguara që nga viti 2013. Ai thotë se këto lëndë janë marrë në shqyrtim dhe do të përfundohen shumë shpejtë.

“150 lëndë të vitit 2013 të natyrës urgjente edhe ato besoj që do t’i përfundojmë shumë shpejtë”, tha Shala.

Gjykata e Apelit që nga fillimi i vitit e deri më tani ka pasur në punë 17 999 lëndë, prej tyre 11 266 janë trashëguar nga vitet paraprake ndërsa 6 733 kanë ardhur në gjashtë mujorin e vitit 2017.

Për gjashtë muaj gjykata e Apelit zgjodhi 5838 lëndë, ndërsa vazhdojnë të mbesin në punë 12 161 lëndë, raporton EO.

Rasti i Ramadan Mujës kthehet në rigjykim

Gjykimi ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, është kthyer në rigjykim me vendimit të Gjykatës së Apelit.

Kryetari Shala në konferencën ku ka prezantuar punën gjashtë mujore ka thënë se rasti i kryetarit të Prizrenit është kthyer në pikën zero.

Në këtë rast, përveç Mujës janë të përfshirë edhe pesë zyrtarë e ish- zyrtarë të tjerë komunalë të Prizrenit.

Ramadan Muja, së bashku me pesë zyrtarë tjerë komunalë më 13 mars 2014 u gjetën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Të ngjashme