Është shtyrë për muajin gusht gjykimi ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha si dhe katër të akuzuarve tjerë në rastin e tenderit gjashtë milionësh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ishte paraparë vazhdimi i këtij gjykimi, mirëpo kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka bërë të ditur për palët në procedurë, se kjo seancë nuk do të mbahet.
Kjo për arsye se anëtari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, gjendet në pushim vjetor.Në sallë nuk ishte prezent as Sami Lushtaku, për të cilin mbrojtësi i tij, Arianit Koci, deklaroi se është rrugës duke ardhur në gjykatë.
Ndryshe, gjatë muajit korrik ishte paraparë që në këtë gjykim të mbahen seanca edhe më 18 e 19 korrik, por të njëjtat janë anuluar për shkak të mungesës së gjykatësit Hoti.Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 24 gusht, me fillim nga ora 9:00.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’i delegohet gjyqtarëve vendorë, të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave, përkatësisht më 12 tetor 2016.
Në seancat që ishin zhvilluar para një trupi gjykues me kryetar, gjykatësin Vladimir Mikula, nga radhët e EULEX-it, akuzën e kishte përfaqësuar prokurori Paul Flynn.
Në shkurt të vitit 2016, para trupit gjykues, të kryesuar nga Mikula, gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm.
Në rastin e njohur si rasti i “KEK 2”, hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.
Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.
Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “ËDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u.