Këtë javë, senati amerikan do të fillojë një gjyq ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, që ka të ngjarë të shpallet i pafajshëm, por duke lënë prapa një trashëgimi të zymtë në histori.
Më 9 shkurt, 100 senatorët do të fillojnë me procedurat e gjykimit. Ata do të marrin rolin e gjykatësve për të vendosur nëse ish-presidenti është fajtor për “nxitje të kryengritjes” dhe rolin e tij në trazirat vdekjeprurëse në Kongresin amerikan.
Turma të mbështetësve të tij sulmuan ndërtesën e Kongresit më 6 janar në përpjekje për të përmbysur rezultatin zgjedhor. Pesë persona humbën jetën në trazira.
Në kohën e sulmit, Kongresi po certifikonte fitoren e presidentit demokrat, Joe Biden.
Sipas një sondazhi të ABC News/IPSOS, 56 për qind e amerikanëve e mbështesin dënimin e Trumpit nga ana e Senatit dhe masën që ai të mos ketë të drejtë asnjëherë më të ushtrojë një post publik.
Megjithatë, 50 demokratët e Senatit do të kenë nevojë për të paktën 17 vota të republikanëve për të dënuar Trumpit. Arritja e një rezultati të tillë të votimit konsiderohet shumë i vështirë.
Demokratët do të përpiqen të dëshmojnë se fjalimi i Trumpit para një turme mbështetësish si dhe pretendimet e tij të pabazuara për mashtrime zgjedhore, përbënin nxitje që turma ta sulmonte Kongresin.
Si funksionon gjykimi?
Kushtetuta amerikane thotë se Dhoma e Përfaqësuesve e ka kompetencën për të shpallur akuzat e ndërsa Senati e ka fuqinë e vetme për të zhvilluar gjykimin. Personi që akuzohet – i cili mund të jetë president, nënpresident ose çdo zyrtar civil i Shteteve të Bashkuara – mund të dënohet nga dy të tretat e senatorëve të pranishëm.
Dhoma e Përfaqësuesve emëron menaxherët të cilët e kanë rolin e prokurorëve, ndërsa në gjykim marrin pjesë edhe avokatët e të pandehurit. Prokurorët dhe ekipi mbrojtës i Trumpit do të kenë një afat të caktuar për të bërë argumente dhe më pas senatorët mund të bëjnë pyetje me shkrim përpara një votimi përfundimtar.
Shefi i drejtësisë i Shteteve të Bashkuara udhëheq gjyqin kundër një presidenti, por për shkak se Trump ka lënë detyrën, kryesues do të jetë senatori, Patrick Leahy.
Kohëzgjatja e gjykimit është e paqartë. Senati fillimisht përcakton dhe pajtohet me rregullat e gjykimit.
Gjykimi i parë për shkarkim ndaj presidentit Trump zgjati tri javë.
Trump ishte akuzuar se e keqpërdori detyrën zyrtare pasi i bëri presion Ukrainës për të hetuar Joe Bidenin.
Gjykimi i dytë ndaj Trumpit pritet të jetë më i shkurtër, pasi çështja është më pak e komplikuar dhe senatorët kanë njohuri për shumë detaje pasi ishin prezentë në Kongres gjatë trazirave.
Qëndrime të ndryshme për ligjshmërinë e procesit
Republikanët dhe avokatët e Trumpit thonë se gjyqi është i panevojshëm pasi Trump nuk është më president dhe rrjedhimisht nuk mund të largohet nga detyra.
“Akuzat e paraqitura nga Dhoma e Përfaqësuesve janë kundërkushtetuese për një sërë arsyesh”, thanë avokatët e Trumpit në një përmbledhje prej 78 faqesh në prag të gjyqit ndaj tij.
Demokratët nuk pajtohen. Ata thirren në mendimet e shumë studiuesve ligjorë dhe si shembull marrin gjykimin për shkarkim të një ish-Sekretari të Luftës, William Belknap, i cili dha dorëheqjen më 1876 vetëm disa orë para se të gjykohej.
Ekzistojnë dy raste në të cilat Senati zhvilloi procese gjyqësore për zyrtarët pasi ata ishin larguar nga detyra. Më 1979 ndaj senatorit William Blount dhe më 1876 ndaj Sekretarit të Luftës, William Belknap. Gjyqi kundër Blount u ndal para se Senati të vendoste, ndërsa Belknap ishte shpallur i pafajshëm, transmeton Reuters.
Nëse Trump shpallet fajtor, Senati mund të procedojë me një votim të dytë, për t’ia ndaluar atij që të ushtrojë sërish detyrën e presidentit.
“Presidentët nuk duhet të ndihen të lirë të kryejnë krime të rënda në përfundim të mandatit të tyre”, kanë shkruar menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve në akuzën kundër Trumpit.